Gjykata liron Sami Lushtakun dhe shtatë të akuzuarit e tjerë

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim lirues për Sami Lushtakun, Ismet Haxhën, Rrustem Rrukollin, Fatmir Mjakun, Rexhep Xhotën, Skender Tahirin, Sheremet Jasharin dhe Bajram Dibranin, duke konstatuar se nuk është vërtetuar se kanë kryer veprat penale për të cilat akuzoheshin. Aktgjykimi u shpall të martën nga kryetari i trupit gjykues, Leon Përlaska. Sipas vendimit të gjykatës, tetë të akuzuarit janë liruar nga të gjitha pikat e aktakuzës që i ngarkonin për veprat penale “Pjesëmarrja në një grup të organizuar kriminal”, “Pengim i dëshmisë apo procedurës zyrtare” dhe “Frikësim gjatë procedurës penale”, pasi gjatë shqyrtimit gjyqësor nuk u siguruan prova të mjaftueshme për të mbështetur akuzat. Ky proces kishte vazhduar vetëm për pikat 16, 17 dhe 18 të aktakuzës ndaj Sami Lushtakut, Ismet Haxhës, Rrustem Rrukollit, Fatmir Mjakut, Rexhep Xhotës, Skender Tahirit, Sheremet Jasharit dhe Bajram Dibranit, pasi procedura për këto pika ishte veçuar nga pjesa tjetër e rastit. Në pjesët e tjera të aktakuzës ishin përfshirë edhe Emrush Thaqi, Shemsi Hajrizi, Sahit Jashari, Mergim Lushtaku, Dardan Geci, Bashkim Dervisholli, Valon Behramaj, Argjent Behramaj, Yll Blakaj, Gzim Ahmeti, Xhevdet Zena, Mervete Hasani-Lushtaku, Agim Ukaj, Ismail Dibrani, Sami Gjoka dhe Nexhib Shatri. Me aktgjykimin e shpallur, Gjykata Themelore ka konstatuar se nuk është provuar përtej dyshimit të arsyeshëm përgjegjësia penale e tetë të akuzuarve për veprat që u viheshin në barrë. Palët në procedurë kanë të drejtë ankese ndaj këtij vendimi në instancat më të larta gjyqësore.

Kontrolloni gjithashtu

Shqipëria dënon deklaratat e Vuçiqit dhe Paunoviqit: Dialogu nuk ndërtohet mbi mohimin e krimeve të luftës

Deklaratat e presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, se Kosova është pjesë e Serbisë, dhe të ministres …