Kryetari i Partisë Demokratike Popullore në Mal të Zi, Milan Knezheviq, ka deklaruar se përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në Podgoricë, Johan Sattler, ka paralajmëruar përfaqësuesit e shumicës parlamentare se Bashkimi Evropian mund të ndërpresë bashkëpunimin me Malin e Zi nëse vazhdojnë iniciativat për çnjohjen e pavarësisë së Kosovës në kuvendet komunale. Pretendimet u bënë publike nga vetë Knezheviq përmes një video-mesazhi në rrjetet sociale, ku ai e akuzoi diplomatin evropian për ndërhyrje në vendimmarrjen politike të Malit të Zi. Sipas Knezheviqit, paralajmërimi i Sattlerit erdhi pas miratimit të një nisme në Kuvendin Komunal të Plevljes, që lidhej me çështjen e njohjes së Kosovës. “Dhe Guvernatori i Malit të Zi, presidenti i të gjithë presidentëve, dielli që nuk perëndon kurrë dhe hëna që na mbikëqyr përjetësisht, Shkëlqesia e Tij Johan Sattler, pas çnjohjes së të ashtuquajturit shtet të Kosovës në Asamblenë Komunale të Plevljes, mblodhi shumicën parlamentare dhe i kërcënoi se nuk do të ishte më partneri i tyre nëse do të ndodhte një çnjohje tjetër”, deklaroi Knezheviq. Kosova u njoh nga Mali i Zi si shtet i pavarur në vitin 2008 dhe ky vendim mbetet në fuqi në nivel shtetëror. Iniciativat e disa kuvendeve komunale për “çnjohjen” e Kosovës nuk kanë efekt juridik mbi politikën e jashtme të Malit të Zi, e cila është kompetencë ekskluzive e institucioneve qendrore.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
