Parlamenti Evropian ka përsëritur thirrjen drejtuar Kosovës që të krijojë sa më parë institucione funksionale, duke vlerësuar se vetëm një legjislaturë dhe një qeveri stabile mund të çojnë përpara reformat e domosdoshme dhe procesin e integrimit evropian. Përmes një reagimi në platformën X, Parlamenti Evropian theksoi se përshpejtimi i reformave dhe avancimi i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë mbeten ndër prioritetet kryesore për Kosovën në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian. Sipas këtij institucioni, funksionalizimi i plotë i institucioneve është kusht i rëndësishëm për zbatimin e reformave që lidhen me standardet evropiane dhe për forcimin e perspektivës së Kosovës si vend kandidat potencial për anëtarësim në BE. “Kosova duhet të përshpejtojë reformat dhe të normalizojë marrëdhëniet me Serbinë. Parlamenti bën thirrje për një legjislaturë dhe qeveri funksionale, në mënyrë që të avancohen reformat që lidhen me Bashkimin Evropian dhe të mbështetet rruga e Kosovës drejt BE-së si vend kandidat potencial”, thuhet në deklaratën e publikuar nga Parlamenti Evropian. Ky mesazh vjen në një periudhë kur proceset politike në vend vazhdojnë të jenë në fokus të partnerëve ndërkombëtarë, të cilët kërkojnë stabilitet institucional dhe intensifikim të reformave si parakusht për avancimin e agjendës evropiane të Kosovës.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
