Ish-komandanti i UÇK-së, Sami Lushtaku, ka vizituar vendin ku dyshohet se ndodhen mbetjet mortore të 24 shqiptarëve të zhdukur më 19 maj 1999, duke kërkuar zbardhjen e fatit të tyre dhe vënien para drejtësisë të autorëve të krimit. Lushtaku kujtoi se e mërkura e 19 majit 1999 ishte dita e fundit kur këta qytetarë u panë të gjallë, ndërsa familjet e tyre vazhdojnë të jetojnë me dhembjen e mungesës dhe pritjes për më shumë se dy dekada. Sipas tij, në këtë vend dyshohet se gjenden mbetjet mortore të patriotit Idriz Rreci, doktorit Fatmir Fazlija, profesorit Demir Ahmeti, si dhe Shaqir, Samir, Xhemail, Salih, Naser, Zymer, Tahir, Selim, Bekim dhe Xhevdet Mëziut, Sahit Beranit, Ali Halitit, Adem Ademit, Adem Beqirit, Hasan Dërvarit, Shaip, Mahir, Faton, Shkëlzen dhe Nazim Ujkanit. Ai theksoi se ky grup përfaqësonte zërin e dijes, atdhedashurisë dhe përkushtimit ndaj vendit, ndërsa nënvizoi se zbardhja e fatit të tyre mbetet një detyrim moral dhe institucional. Lushtaku shprehu shpresën që hetimet në këtë lokacion do t’i japin fund pritjes së gjatë të familjeve dhe do të mundësojnë kthimin e eshtrave të viktimave pranë të afërmve të tyre, për t’u prehur me dinjitet në vendlindjen për të cilën sakrifikuan aq shumë.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
