Kongresisti amerikan Joe Wilson ka përsëritur mbështetjen e tij për pavarësinë e Kosovës, duke i bërë thirrje Serbisë që t’i japë fund kërcënimeve ndaj Kosovës dhe të orientohet plotësisht drejt Perëndimit. Në një intervistë për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë, Wilson deklaroi se Beogradi duhet të heqë dorë nga varësia energjetike ndaj Rusisë, të distancohet nga Moska, Pekini dhe Teherani, si dhe të harmonizojë politikat e tij me Bashkimin Evropian dhe NATO-n. Ai vlerësoi se integrimi euroatlantik i Serbisë është i mundur vetëm nëse vendi ndërpret lidhjet me regjimet autoritare dhe ndryshon qasjen ndaj Kosovës. Wilson foli edhe për rezolutën që ka sponsorizuar në Kongresin amerikan, me të cilën kërkohet që Sesioni Vjetor i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së për vitin 2027 të mbahet në Çarlston të Karolinës së Jugut, në vend të Beogradit. Sipas tij, marrëdhëniet e ngushta të Serbisë me Rusinë, Kinën dhe Iranin, si dhe qëndrimi i saj ndaj Kosovës, ngrenë shqetësime serioze për organizimin e këtij takimi në Beograd. Megjithatë, Wilson theksoi se, pasi janë tejkaluar pengesat logjistike për organizimin e sesionit në Shtetet e Bashkuara, Beogradi mund të jetë nikoqir i këtij aktiviteti në vitin 2028.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
