Besnik Tahiri: Kurti po e mban peng formimin e institucioneve, Aleanca refuzon takimin pa përmbushjen e gjashtë kërkesave

Deputeti i zgjedhur i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka deklaruar se partia e tij nuk do t’i përgjigjet ftesës së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për takim lidhur me formimin e institucioneve të reja, pa u adresuar më parë gjashtë kërkesat programore të AAK-së. Tahiri tha se këto kërkesa nuk lidhen me ndarjen e pushtetit apo me poste qeveritare, por me politika që, sipas tij, janë në interes të shtetit. Ai theksoi se një nga kërkesat kryesore është që Qeveria e Kosovës t’i drejtojë një letër autoriteteve amerikane për të garantuar përkushtimin ndaj projektit të gazit amerikan, duke shtuar se kjo është përgjegjësi e ekzekutivit dhe jo e Aleancës. Tahiri hodhi poshtë pretendimet se AAK-ja po bllokon krijimin e institucioneve për interesa politike, duke nënvizuar se partia nuk ka kërkuar asnjë post qeveritar, ministri apo pozitë tjetër të emëruar. Kërkesat e AAK-së përfshijnë shpalljen e projektit të gazit amerikan si projekt strategjik, fillimin e procedurave për ndërtimin e një termocentrali me thëngjill, rritjen e pragut të TVSH-së për bizneset e vogla nga 30 mijë në 100 mijë euro, heqjen e tatimit në pronë për tokën e punuar, financimin e plotë të projekteve infrastrukturore si dhe krijimin e një fondi investues prej 800 milionë deri në 1 miliard euro për zhvillimin e Prishtinës.

Kontrolloni gjithashtu

Sami Lushtaku pas vendimit të Gjykatës: Pas 13 vitesh, e vërteta triumfoi

Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, ka reaguar pasi Gjykata Themelore në Prishtinë e shpalli të …