Zijadin Hoxha - TV Dielli

Zijadin Hoxha mohon akuzat e Esat Shalës: Kam dëshmuar për mbrojtjen e Pjetër Shalës, jo për Prokurorinë

Veterani i UÇK-së, Zijadin Hoxha, ka hedhur poshtë pretendimet e arkivistit të luftës, Esat Shala, se ai ka qenë dëshmitar i Prokurorisë së Gjykatës Speciale në Hagë dhe se ka falsifikuar historinë. Hoxha sqaroi se ai ka dëshmuar në cilësinë e dëshmitarit të mbrojtjes në rastin e Pjetër Shalës, duke theksuar se pretendimet e bëra ndaj tij janë të pavërteta. “Në bazë të deklaratës së Esatit, i bie që kam qenë dëshmitar i katërshes së madhe, gjë që nuk është e vërtetë. Unë kam qenë dëshmitar i mbrojtjes për Pjetër Shalën”, deklaroi Hoxha. Ai tha se nuk e ka takuar asnjëherë Pjetër Shalën, por se disponon incizime të realizuara në Kukës gjatë luftës, përfshirë pamje nga varrimi i pesë dëshmorëve të Operacionit “Shigjeta”, të cilat i kishte publikuar me emrin e tij që në vitin 2010. Sipas Hoxhës, këto materiale filmike janë shqyrtuar edhe nga Gjykata Speciale, e cila fillimisht e kishte marrë në pyetje si të dyshuar dhe më pas si dëshmitar. Ai shtoi se në vitin 2019 ishte intervistuar nga EULEX-i në kuadër të hetimeve. Hoxha theksoi se qëllimi i dëshmisë së tij ishte të dëshmonte se në incizimet e realizuara në Kukës nuk figuron Pjetër Shala, duke kundërshtuar kështu pretendimet që lidhen me akuzat ndaj tij.

Kontrolloni gjithashtu

Me akademi përkujtimore në Therandë nderohet atdhetari Hysen Gega

Në një atmosferë dinjitoze, të mbushur me respekt, emocione dhe krenari kombëtare, në Therandë u …