Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj, ka vizituar këtë të enjte lokacionin në fshatin Kalludër të Zubin Potokut, ku po vazhdojnë gërmimet në varrezën masive, në të cilën janë gjetur mbetje mortore që dyshohet se u përkasin 23 intelektualëve të zhdukur nga Mitrovica gjatë luftës. Nga vendi i ngjarjes, Isufaj bëri të ditur se deri më tani është konfirmuar se mbetjet e gjetura janë me origjinë njerëzore, por theksoi se procesi i zhvarrimit dhe identifikimit është kompleks dhe mund të zgjasë për një periudhë të pacaktuar. “Është vërtetuar se mbetjet mortore janë me origjinë njerëzore. Ky proces mund të zgjasë dhe nuk mund të themi se kur do të përfundojë. Identifikimi kërkon kohë dhe respektim të standardeve, pasi secili trup duhet të identifikohet përmes analizave të ADN-së. Fillimisht duhet të bëhet rikonstruktimi i trupit, e më pas mbetjet dërgohen në Institutin e Mjekësisë Ligjore për procedurat e mëtejshme”, deklaroi Isufaj. “Prokuroria Speciale do të zbatojë procedura shumë profesionale, të paanshme dhe të pavarura. U bëj thirrje të gjithëve që të shmangen deklarimet e parakohshme, sepse ato mund ta dëmtojnë procesin hetimor dhe të ndikojnë në rezultatin përfundimtar. Punimet po zhvillohen me intensitetin e nevojshëm dhe hetimet janë ende në fazën fillestare”, u shpreh ai. Lidhur me zbulimin e kësaj varreze masive, autoritetet kanë arrestuar dy persona të nacionalitetit serb, ndaj të cilëve gjykata ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji, nën dyshimet për përfshirje në këtë rast.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
