Fluksi i madh i automjeteve në pikat kufitare mes Kroacisë dhe Malit të Zi ka shkaktuar pritje të gjata për qindra mërgimtarë që po udhëtojnë drejt Kosovës dhe vendeve të tjera të rajonit, ndërsa institucionet shqiptare janë angazhuar për të lehtësuar qarkullimin. Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë njoftoi se është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet e Kroacisë dhe Malit të Zi, me synimin për të përshpejtuar procedurat e kontrollit kufitar dhe për të reduktuar vonesat e krijuara gjatë sezonit veror. Reagimi vjen pasi shumë udhëtarë raportuan pritje që në disa raste kanë kaluar 15 orë, ndërsa kolonat e automjeteve janë shtrirë për disa kilometra, duke vështirësuar udhëtimin e mërgimtarëve që po kthehen në vendlindje për pushime. Sipas ministrisë, situata po monitorohet nga afër në bashkëpunim me autoritetet e vendeve fqinje, me qëllim që qarkullimi në pikat kufitare të normalizohet sa më shpejt. Ndërkohë, qytetarëve u është bërë thirrje që para nisjes të informohen për gjendjen në kufi dhe, kur është e mundur, të përdorin pika alternative të kalimit për të shmangur pritjet e gjata.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
