Sadik Halitjaha: Jetuam në epokën e profesor Ahmet Qeriqit, figurës së pavdekshme të kombit

Pas përfundimit të tryezës letrare-shkencore “Portrete Krijuesish”, në një atmosferë të ngrohtë familjare dhe shoqërore, bashkëluftëtari dhe bashkëveprimtari shumëvjeçar i profesor Ahmet Qeriqit, Komandant Sadik Halitjaha, mbajti një fjalë falënderuese dhe përkujtimore, duke shprehur mirënjohje për organizatorët e simpoziumit, si dhe respekt të veçantë për bashkëshorten dhe familjen e profesor Ahmet Qeriqit.

Ai e cilësoi organizimin e këtij simpoziumi si një fillim të mbarë për të nderuar një nga personalitetet më të rëndësishme të historisë, kulturës dhe çështjes kombëtare shqiptare.

“Mbajtja e këtij simpoziumi letrar dhe shkencor është një nismë e mirë. Intelektualët e Shtimes i bënë nderimin e merituar intelektualit të përmasave kombëtare, profesor Ahmet Qeriqit. Përmes gjashtë kumtesave u paraqitën pjesë të jetës, veprës dhe kontributit të tij, por për ta përshkruar madhështinë e Ahmetit nuk mjaftojnë as gjashtë e as gjashtëdhjetë kumtesa. Ai ishte dhe mbetet një figurë shumëdimensionale, krejtësisht e veçantë në historinë tonë kombëtare.”

Komandant Halitjaha kujtoi rrugëtimin e profesor Ahmet Qeriqit si veprimtar të palodhur të çështjes kombëtare, të burgosur politik, njeri që jetoi për më shumë se një vit në ilegalitet brenda Kosovës pa rënë në duart e UDB-së, duke mbetur i pathyeshëm dhe besnik ndaj idealit të lirisë. Ai theksoi se Ahmeti nuk tradhtoi asnjëherë shokët e veprimtarisë, ishte organizator e pjesëmarrës në demonstratat për liri, profesor e pedagog i përkushtuar dhe edukator i brezave me frymë atdhetare.

Në fjalën e tij ai nënvizoi edhe rolin e profesor Ahmet Qeriqit gjatë luftës çlirimtare, si luftëtar, drejtues i institucioneve të luftës dhe drejtor i Radio Kosova e Lirë, institucion që u bë zëri i rezistencës shqiptare. Ai kujtoi se profesori nuk ishte vetëm kronikan i luftës, por edhe protagonist e pjesëmarrës në beteja, duke jetuar çdo moment të saj me përgjegjësi dhe sakrificë.

Komandant Halitjaha theksoi se profesor Ahmet Qeriqi la pas një trashëgimi të jashtëzakonshme intelektuale, me mbi tridhjetë vepra, qindra kronika, studime dhe dëshmi historike, duke u shndërruar në një historian të kohës së vet dhe një dokumentues të paçmueshëm të luftës dhe rezistencës shqiptare.

“Për ne ai ishte më shumë se një mik e bashkëveprimtar. Ishte frymëzim, ishte shembull, ishte idhull për shokët dhe për brezat që erdhën pas nesh. Ai jetoi në kohë të vështira, kaloi sprova të mëdha, por në çdo etapë mbeti trim, intelektual, besnik dhe atdhetar i palëkundur. Ishte njeriu që nuk u përkul kurrë para padrejtësisë dhe që e vendosi gjithmonë kombin mbi interesin personal.”

Në përfundim, me emocione të thella, Komandant Sadik Halitjaha u shpreh krenar që pati fatin të bashkëveprojë, të bashkëluftojë dhe të ndajë një pjesë të jetës me profesor Ahmet Qeriqin.

“Është nder dhe privilegj për mua që jetova në epokën e Ahmet Qeriqit, që luftuam e vepruam së bashku për idealin e lirisë. Figura e tij do të mbetet përherë e pavdekshme në historinë e kombit shqiptar dhe në zemrat e të gjithë atyre që e njohën. Lavdi jetës, veprës dhe kujtimit të pavdekshëm të profesor Ahmet Qeriqit.”

Kontrolloni gjithashtu

Benjamin Krasniqi: BURRË SI AI – Ahmet Qeriqin

Disa fjalë po i thuri për një burrë të rrallë si ari; formën e jetës …