Deputetja e zgjedhur e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Janina Ymeri, ka kritikuar Qeverinë për, sipas saj, mungesën e masave konkrete për të zbutur ndikimin e rritjes së çmimeve të karburanteve mbi qytetarët. Përmes një reagimi publik, Ymeri tha se vetëm gjatë një muaji shteti ka inkasuar mbi 50 milionë euro nga TVSH-ja dhe akciza e naftës, ndërsa, sipas saj, nuk po ndërmerren hapa për të lehtësuar barrën financiare të familjeve. “Ajo që nuk po na thuhet direkt: Nuk preket arka e (pu)shtetit. Xhepi i qytetarit duhet të durojë”, ka shkruar Ymeri. Ajo vlerësoi se përderisa të hyrat buxhetore nga karburantet vazhdojnë të rriten, qytetarët po përballen të vetëm me koston e lartë të jetesës, duke i bërë thirrje ekzekutivit të marrë masa konkrete për të mbrojtur standardin e tyre ekonomik. Sipas Ymerit, është përgjegjësi e institucioneve që të përdorin mekanizmat fiskalë për të lehtësuar barrën mbi konsumatorët, e jo ta lënë atë të rëndojë vetëm mbi xhepin e qytetarëve.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
