Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës Vlora Çitaku, ka deklaruar se takimi ndërmjet kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, dhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, nuk ka prodhuar asnjë rezultat konkret, duke theksuar se PDK-ja nuk ka marrë pjesë në bisedime për ndarje pushteti apo pazare politike. Çitaku tha se qëllimi i PDK-së ishte të diskutonte tema strategjike që prekin interesin shtetëror, e jo poste qeveritare. “Nuk kemi shkuar aty me bë pazar e as me kërkua pozitë. Ne na intereson çka ndodh me gazin amerikan. Si është e mundur që Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që, me kryeneçësi, refuzon kyçjen në një projekt që është shumë më tepër sesa energjetik; është projekt politik, strategjik dhe ekonomik”, u shpreh Çitaku. Ajo kritikoi edhe mënyrën se si, sipas saj, kryeministri në detyrë po i zhvillon takimet me partitë politike, duke vlerësuar se ato po mbahen më shumë për efekt politik sesa për të arritur marrëveshje konkrete. Sipas Çitakut, Bedri Hamza pranoi ftesën për takim për respekt ndaj qytetarëve dhe përgjegjësisë institucionale, megjithëse, sipas saj, takimi rezultoi “i zbrazët” dhe pa përmbajtje.
Kontrolloni gjithashtu
27 vjet pas Reçakut nis gjykimi pa të akuzuarit: Serbia vazhdon ta mohojë masakrën, drejtësia kërkon përgjigje
Gati tri dekada pas njërës prej masakrave më të rënda ndaj civilëve shqiptarë gjatë luftës …
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
