Takimi më shumë se treorësh ndërmjet kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, përfundoi pa ndonjë marrëveshje politike, duke lënë Kosovën në të njëjtën krizë institucionale vetëm dy ditë para seancës konstituive të legjislaturës së njëmbëdhjetë. Edhe pse të dy liderët konfirmuan se bisedimet do të vazhdojnë, asnjëra palë nuk ofroi zgjidhje konkrete për tejkalimin e ngërçit që po pengon formimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve të 7 qershorit. Albin Kurti deklaroi se takimi shërbeu për të diskutuar qasje të ndryshme, por pranoi se marrëveshje nuk ka. Ai paralajmëroi se mungesa e një kompromisi mund ta çojë vendin sërish në zgjedhje, ndërsa përsëriti kërkesën për një president konsensual, që sipas tij nuk duhet të jetë pjesë e pushtetit politik. Në anën tjetër, Lumir Abdixhiku theksoi se LDK-ja kërkon një marrëveshje gjithëpërfshirëse për Kuvendin, Qeverinë dhe Presidencën, duke theksuar se një president konsensual është ai që siguron 80 vota në Kuvend. Ai bëri të ditur se partia e tij nuk synon postin e kryetarit të Kuvendit, por kërkon vazhdimin e procesit të konstituimit edhe nëse nuk arrihet marrëveshje deri në seancën e 6 gushtit. Pavarësisht deklarimeve për gatishmëri dhe dialog, takimi nuk prodhoi asnjë rezultat konkret, duke thelluar pasigurinë politike dhe duke shtuar pikëpyetjet nëse klasa politike do të arrijë ta zhbllokojë procesin e krijimit të institucioneve apo do ta shtyjë vendin drejt një krize të re politike.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
