Dita e nëntë e gërmimeve në Kalludër, Prokuroria ende pa afat për lokacionin e tretë të dyshuar si varrezë masive

Gërmimet në fshatin Kalludër e Vogël të Zubin Potokut, ku dyshohet se ndodhet një varrezë masive nga lufta e fundit në Kosovë, kanë hyrë në ditën e nëntë, ndërsa autoritetet ende nuk kanë bërë të ditur se kur do të nisë puna në lokacionin e tretë të identifikuar. Dy provat e para të gjetura në këtë zonë – copëza veshjesh dhe mbetje mortore, të konfirmuara si njerëzore – kanë forcuar dyshimet se bëhet fjalë për një varrezë masive, ku besohet se janë varrosur 23 persona të njohur si “Grupi i Intelektualëve”. Lokacioni ishte hetuar për më shumë se një vit nga Policia e Kosovës në koordinim me Prokurorinë Speciale. Pas sigurimit të zonës, ekipet e Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe të EULEX-it nisën gërmimet, ndërsa mjekët ligjorë konfirmuan se mbetjet e gjetura janë me interes hetimor dhe dyshohet se i përkasin viktimave të luftës. Ndërkohë, gjatë ditës së gjashtë të operacionit, dyshime për një tjetër varrezë masive u ngritën edhe në Jabukë, disa kilometra larg Kalludrës. Në këtë lokacion u gjetën katër mbetje mortore dhe një batanije, të cilat janë dërguar për analiza forenzike, ndërsa gërmimet përfunduan brenda një dite. Hetimet nuk përfundojnë me këto dy lokacione. Një zonë e tretë, mes Kalludrës së Vogël dhe Jabukës, po hetohet nën dyshimet për një tjetër varrezë masive, por Prokuroria Speciale nuk ka njoftuar ende se kur do të fillojnë gërmimet.

Kontrolloni gjithashtu

Eman Rrahmani

Eman Rrahmani: Kosova po rrëshqet drejt autoritarizmit, çdo institucion kontrollohet nga Kurti

Eman Rrahmani, ka akuzuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për përqendrim të pushtetit, duke deklaruar …