Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka deklaruar se pas betimit të Albulena Haxhiut si deputete e Kuvendit të Kosovës, ajo nuk mund të vazhdojë të ushtrojë detyrën e ushtrueses së detyrës së Presidentit të Republikës. Sipas Hasanit, me përfundimin e mandatit të saj si ushtruese detyre, Kosova aktualisht ndodhet pa President të vendit, ndërsa kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit, Avni Dehari, nuk ka kompetencë për ta ushtruar këtë funksion. “Avni Dehari është vetëm kryesues i seancës dhe nuk mund të jetë ushtrues detyre i Presidentit. Me betimin e Albulena Haxhiut si deputete, vendi mbetet pa President të Republikës”, ka deklaruar Hasani. Ai ka theksuar se pas konstituimit të plotë të Kuvendit, procedura kushtetuese duhet të fokusohet fillimisht në zgjedhjen e Presidentit dhe më pas në formimin e institucioneve të tjera. Hasani është shprehur se aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese përcaktojnë detyrimin institucional që, në rastet kur posti i Presidentit është vakant, zgjedhja e kreut të shtetit duhet të jetë prioritet para procedurave të tjera parlamentare. Ai gjithashtu ka kritikuar mënyrën e interpretimit të afateve kushtetuese nga Lëvizja Vetëvendosje, duke thënë se vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të zbatohen me përpikëri dhe se institucionet nuk mund të funksionojnë mbi interpretime politike.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
