OVL-UÇK

OVL e UÇK-së kritikon bllokimin institucional: Kosova nuk është pronë e asnjë partie

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka reaguar pas ndërprerjes së seancës konstituive të Kuvendit, e cila u pezullua pasi kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, nuk paraqiti emër për kandidatin për kryetar të Kuvendit. Në reagimin e saj, OVL e UÇK-së ka shprehur kundërshtimin ndaj çdo veprimi që, sipas saj, e mban vendin në pasiguri institucionale për interesa politike. “Shprehim kundërshtimin tonë të plotë ndaj çdo përpjekjeje për ta mbajtur Kosovën peng të llogarive partiake”, thuhet në reagim. Sipas kësaj organizate, pas zgjedhjeve Kuvendi ende nuk ka arritur të funksionalizohet, ndërsa vendi vazhdon të jetë pa institucione me mandat të plotë. OVL e UÇK-së ka vlerësuar se përgjegjësinë kryesore për këtë situatë e mban Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje. “Kosova nuk është pronë e asnjë udhëheqësi apo partie”, thekson reagimi, duke bërë thirrje që të hapet rruga për krijimin e institucioneve dhe të shmangen, siç thuhet, dëmet e mëtejshme politike, diplomatike dhe ekonomike për vendin. OVL e UÇK-së ka kërkuar që interesat shtetërore të vendosen mbi kalkulimet partiake dhe që proceset institucionale të përmbyllen sa më shpejt.

Kontrolloni gjithashtu

Më 10, 11 dhe 14 shtator deklaratat përmbyllëse në rastin ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve

Gjykata Speciale ka njoftuar se më 10, 11 dhe 14 shtator 2026 do të mbahen …