Avdullah Hoti: VV-ja ka bërë tri shkelje kushtetuese, ende pa nisur mandati i ri

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për tri shkelje kushtetuese, pas caktimit të vazhdimit të seancës konstituive për sot. Përmes një postimi, Hoti tha se thirrja e seancës jashtë afatit 30-ditor, mospropozimi i kandidatit për kryetar të Kuvendit dhe mbajtja e pozitave qeveritare pas betimit si deputetë përbëjnë, sipas tij, shkelje të Kushtetutës. Hoti gjithashtu akuzoi grupin më të madh parlamentar, LVV-në, se nuk ka bërë propozimin për kryetar të Kuvendit brenda afatit kushtetues. Ndërkaq, për kryeministrin në detyrë Albin Kurti dhe zyrtarë të tjerë të Qeverisë që janë zgjedhur deputetë, Hoti pretendoi se mbajtja e pozitave qeveritare pas dhënies së betimit si deputetë është në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjin. “Përballë këtij sulmi të hapur ndaj rendit kushtetues, opozita duhet pa asnjë hezitim të shfrytëzojë çdo mekanizëm kushtetues dhe ligjor për t’i ndalur këto shkelje dhe për t’i mbajtur përgjegjës autorët e tyre”, shkroi Hoti. Ai theksoi se mbrojtja e Kushtetutës nuk duhet të trajtohet si zgjedhje politike, por si detyrim ndaj Republikës dhe qytetarëve.

Kontrolloni gjithashtu

Haga heq kufizimet për disa vizitorë të Hashim Thaçit, ndalesa vazhdon për katër të tjerë

Gjyqtari Christopher Gosnell ka marrë më 21 shtator vendim për ndryshimin e kufizimeve lidhur me …