Kohët e fundit po flitet për hapjen e një konsulate të Shqipërisë në Serbi – në Luginën e Preshevës, në Bujanoc – dhe për hapjen e një konsulate të Serbisë në Shqipëri, në qytetin e Shkodrës.
Lidhur me hapjen e mundshme të Konsulatës së Shqipërisë në Bujanoc
Sa i përket gjendjes së rëndë të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, tashmë Qeverisë së Serbisë i janë bërë vërejtje nga Bashkimi Evropian (BE), Parlamenti Evropian (PE) dhe nga dy kongresmenët amerikanë, Keith Self dhe Suhas Subramanyam, që para disa muajsh e kanë vizituar Luginën e Preshevës..
Por Qeverisë ultrashoviniste serbe, nga vërejtjet e bëra lidhur me padrejtësitë e ushtruara prej saj ndaj shqiptarëve të Luginës, as qerpiku i syrit nuk i ka lëvizur! Dhe kjo tregon se Qeverisë serbe aq më pak do t’i bënte syri vërr nga vërejtjet që, lidhur me padrejtësitë e ushtruara prej saj ndaj shqiptarëve të Luginës, do t’ia bënte Konsulata e Shqipërisë në Bujanoc.
Nga ana tjetër, mungesa e Konsulatës shqiptare në Bujanoc nuk ka qenë dhe nuk është pengesë që Kosova dhe Shqipëria, të ngrenë zërin e tyre për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Kjo sepse padrejtësitë që Serbia ka ushtruar dhe ushtron ndaj shqiptarëve të Luginës kanë qenë dhe janë aq shumë të faktuara dhe të dokumentuara, saqë akuzat e Shqipërisë dhe të Kosovës ndaj Serbisë për shkeljen e të drejtave të shqiptarëve në Luginë, nga faktori ndërkombëtar do të ishin plotësisht të besueshme edhe pa pasur Shqipëria apo Kosova konsulata në Bujanoc.
Duke u bazuar në sa u tha më lart, del se Konsulata e Shqipërisë në Bujanoc shqiptarëve të Luginës nuk do t’u sillte ndonjë dobi të veçantë, ndërkohë që hapja, për paritet, e Konsulatës së Serbisë në Shkodër mund t’i sjell dëme Shqipërisë.
Ldhur me hapjen e mundshme të Konsulatës së Serbisë në Shkodër
Shqipëria ka shumë arsye pse nuk duhet ta lejojë hapjen e Konsulatës së Serbisë në Shkodër:
E para, sepse edhe Serbia e sotme, bashkë me malazezët e serbizuar në Mal të Zi, ende nuk kanë hequr dorë nga idetë e tyre për krijimin e kushteve paraprake që Shkodra t’i aneksohet Malit të Zi. Ushtritë malazeze dhe serbe, në vitin 1913, me ndihmën e Esat Pashës, e kanë pushtuar Shkodrën me qëllim që atë t’ia aneksonin Malit të Zi, aneksim që u pengua nga Fuqitë e Mëdha.
E dyta, Shqipëria nuk duhet ta lejojë hapjen e Konsulatës serbe në Shkodër edhe sepse, pas demokratizimit të Shqipërisë në vitet 1990–1992 e deri më tani, në Shkodër dhe rrethinat e saj ka ndodhur diçka e paparë: Serbia, nëpërmjet agjentëve të saj shqiptarë, ka arritur që rreth 2.000 femra shqiptare, kryesisht nga rrethinat e Shkodrës, t’i martojë jo me dashuri, por me shkuesi dhe kundrejt shumave të majme të parave, me rreth 2.000 serbë dhe malazezë të serbizuar në Mal të Zi!
Nëse secila nga 2.000 gratë shqiptare të martuara me serbë dhe malazezë të serbizuar do të sillte në jetë nga dy fëmijë, që marrë së bashku bëjnë 4.000 fëmijë, dhe nëse Serbia do të arrinte që këta 4.000 fëmijë me prejardhje të përzier shqiptaro-serbo-malazeze, në moshën e rritur, t’i vendoste me banim në Shkodër dhe në rrethinat e saj, atëherë mendoj se ky kontingjent prej 4.000 banorësh do të mund t’i shërbente Serbisë, si lëndë e parë për krijimin e një minoriteti serbo-malazez në Shkodër.
Fenomeni i maretsave të përziera në mes të shqiptarëve ortodoks të Malësisë së Madhe të Prefekturës së Shkodrës dhe të malazezve të viseve kufitare të Malit të Zi me Shqipërinë , ka qenë i njohur që që herët dhe ka vazhduar deri në vitin 1948, kur për fat të mirë Shqipëria i ka prishur marrëdhniet e saj me ish-Jugosllavinë.
Duke pasur parasysh sa u tha më lart, them se ata shqiptarë që mendojnë se Serbia dëshiron ta hapë një konsulatë të saj në Shkodër, vetëm sa për t’u kujdesur për rreth 50 malazezë të serbizuar që jetojnë në Shkodër. Jo, për mendimin tim Serbia dëshiron ta hapë Konsulatën e saj në Shkodër edhe për të krijuar atje një minoritet serbo-malazez sipas skenarit që dhashë më lart.
Mundësia e krijimit në Shkodër të një minoriteti serbo-malazez do të duhej të ishte shkaku kryesor, pse Shqipëria nuk do të duhej ta lejonte hapjen e Konsulatës së Serbisë në Shkodër.
E treta, Shqipëria nuk duhet ta lejojë hapjen e Konsulatës serbe në Shkodër edhe për vetë faktin se Serbia, që në fillim të viteve ’90 të shekullit XX, kur ka ndodhur demokratizimi i Shqipërisë, ka deklaruar hapur në Parlamentin serb se ka ndarë një fond prej dhjetëra milionë dollarësh për destabilizimin e Shqipërisë.
E katërta, Shqipëria nuk duhet ta lejojë hapjen e Konsulatës serbe në Shkodër edhe për faktin se Serbia, pas çlirimit të Kosovës, në vitin 2000, po ashtu ka deklaruar haptas se ka hartuar një plan për rikthimin e Kosovës brenda kufijve të saj, si dhe ka ndarë një fond të madh për destabilizimin e Kosovës.
E pesta, Shqipëria nuk duhet ta lejojë hapjen e Konsulatës serbe në Shkodër edhe për faktin se edhe Serbia e sotme e Vuçiqit, duke mbetur brenda mendësisë shoviniste të Millosheviqit, s’ka dyshim se ka derdhur dhe vazhdon të derdhë edhe aktualisht fonde për destabilizimin e Shqipërisë dhe të Kosovës.
Për të gjitha këto mendoj se ekzistimi i një konsulate serbe në Shkodër nuk do të ishte tjetër veçse një çerdhe plus e agjenturës serbe në Shqipëri.
Prandaj, hapja e Konsulatës së Serbisë në Shkodër për mendimin tim do të ishte e barabartë me futjen me vetëdije të ujqërve në vathë…!
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
