Ish-deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rezarta Krasniqi, ka reaguar me tone të ashpra pas përplasjeve të sotme në Kuvendin e Kosovës mes deputetëve të opozitës dhe atyre të Lëvizjes Vetëvendosje, duke drejtuar kritika të drejtpërdrejta ndaj kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe presidentes Vjosa Osmani. Krasniqi ka shprehur zhgënjimin e saj për paanshmërinë dhe heshtjen e drejtuesve të partisë në këtë moment tensionesh politike. “Jam thellësisht e turpëruar që partia ime, partia që skicoi vetë idenë e shtetit të Kosovës, sot rri e heshtur, e pa zë, e pa ide – derisa do të duhej ta ballafaqonte këtë pushtet, që jo veç mes partive politike, por ka mbjellur përçarje mbase të pashërueshme në krejt popullin”, është shprehur Krasniqi. Ajo ka vënë në dyshim përfaqësimin e elektoratit tradicional të LDK-së, duke pyetur se ku qëndron sot zëri i votuesit të këtij subjekti politik, të cilin nuk po e sheh as në Kuvend e as në rrugë. Po ashtu, ish-deputetja e ka cilësuar të pafalshme pozicionimin e tanishëm të LDK-së në skenën politike, duke nëvizuar se nga një parti protagoniste e shtetndërtimit, ajo është shndërruar në një subjekt të strukur dhe të lënë në margjina.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
