Filiz Mustafa, ish-kandidat i Vetëvendosjes për kryetar të Sharrit, ka publikuar një fotografi të Fehim Salit, i arrestuar sot nën dyshimin për spiunazh, së bashku me ministrin e Brendshëm të Serbisë, Ivica Daçiq. “Ky fotografim i bërë para disa vitesh ku janë bashkë Ivica Daçiq dhe i arrestuari i sotëm Fehim Sali”, ka shkruar Mustafa. Ai ka përshëndetur arrestimin e Salit, duke thënë se “sot shteti dhe institucionet përkatëse vepruan”, ndërsa ka kërkuar më shumë përgjegjësi nga politikanët lokalë në raport me persona që dyshohet se u shërbejnë institucioneve të Serbisë. Fehim Sali është arrestuar në një operacion të përbashkët të AKI-së, Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Speciale. Ai dyshohet se për një periudhë të gjatë ka bashkëpunuar me BIA-n serbe dhe se ka pasur kontakte me zyrtarin e saj, Zelimir Matoviq. Sali punon si arsimtar në shkollën serbe “9 Maji” në Rapçë të Sharrit dhe më herët ka qenë pjesë e Këshillit Konsultativ për Komunitete pranë Zyrës së Presidentes. /rtk/
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
