Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur zyrtarisht se nuk është arritur asnjë marrëveshje politike me Lëvizjen Vetëvendosje dhe se subjekti i tij ka vendosur të qëndrojë në opozitë. Pas mbledhjes së grupit parlamentar, Abdixhiku deklaroi se LDK-së i ishin ofruar vetëm tri ministri dhe pozita e zëvendëskryeministrit, një ofertë kjo që u konsiderua e papranueshme dhe me synim për t’i dhënë partisë thjesht një prani dekorative në qeverisje. Ai sqaroi se kërkesa e mëparshme e LDK-së për postin e presidentit synonte krijimin e një ekuilibri institucional në vend, mirëpo pas refuzimit të kushteve dhe nisjes së asaj që e quajti “betejë publike” nga ana e LVV-së, LDK ka vendosur të tërhiqet përfundimisht nga çdo pretendim për pjesëmarrje në ekzekutiv apo për postin e kreut të shtetit. Abdixhiku nënvizoi se koalicionet duhet të ndërtohen mbi bazën e besimit dhe se partia e tij nuk do të pranojë nënshtrimin apo të shërbejë si dekor, duke konfirmuar përfundimisht pozicionimin e LDK-së si forcë opozitare.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
