Richard Grenell: Perëndimi e do Thaçin të lirë, kriza politike në Kosovë është krijuar nga Kurti

Ish-i dërguari presidencial i SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka deklaruar se kriza aktuale politike në Kosovë është krijuar nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ndërsa ka shprehur bindjen se Perëndimi dëshiron lirimin e ish-presidentit Hashim Thaçi dhe kthimin e tij në Kosovë. Grenell ka kritikuar ashpër Kurtin për mënyrën se si po menaxhohet situata politike në vend, duke e akuzuar se po krijon bllokada dhe barriera politike, njësoj si gjatë kohës kur ishte në opozitë. “Situata politike në Kosovë është një krizë e krijuar nga Albin Kurti. Ai ka dështuar ta luftojë korrupsionin dhe po e vazhdon historinë e tij të gjatë të krijimit të bllokadave dhe barrierave, sikur që ka bërë sa ka qenë në opozitë”, ka deklaruar Grenell. Ai ka shtuar se Kurti, sipas tij, nuk di të qeverisë dhe se është më i përshtatshëm për të kritikuar nga opozita sesa për të udhëhequr një qeveri. “Ai qartësisht nuk di si të qeverisë. Është i destinuar të jetë në periferi duke u ankuar. Në fakt, ai është më i mirë për të drejtuar kritika nga margjinat sesa të udhëheqë një qeveri”, është shprehur Grenell. Ai ka folur edhe për ish-presidentin Hashim Thaçi, i cili ndodhet në paraburgim në Hagë dhe për të cilin pritet vendimi i Dhomave të Specializuara më 16 shtator. “Perëndimi do që ish-presidenti Hashim Thaçi të lirohet dhe të kthehet që të ndihmojë për ta udhëhequr Kosovën përsëri”, ka thënë Grenell. Ai ka shtuar se beson se Thaçi do të kthehej me “një perspektivë dhe energji të ripërtërirë” për popullin e Kosovës.

Kontrolloni gjithashtu

Edita Tahiri

Edita Tahiri kritikon bisedimet VV-LDK: “Zbatimi i Kushtetutës duhet të jetë prioritet”

 Ish-zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri, ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit politike dhe bisedimet …