Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, ka kritikuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për situatën e krijuar rreth konstituimit të Kuvendit, duke kërkuar respektimin e Kushtetutës dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Deputetët e AAK-së i janë bashkuar aksionit të PDK-së para objektit të Qeverisë së Kosovës, në shenjë proteste ndaj bllokadës institucionale dhe mosvazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit. Kadrijaj ka deklaruar se kërkesa e tyre është e qartë: institucionet duhet të veprojnë brenda afateve dhe procedurave të përcaktuara me Kushtetutë dhe me vendimet e Gjykatës Kushtetuese. “E gjithë ajo që po kërkojmë është të respektohet Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i cili e ka përcaktuar qartë periudhën kohore brenda së cilës duhet të konstituohet Kuvendi dhe të bëhet zgjedhja e presidentit”, ka thënë Kadrijaj. “Askush nuk është mbi ligjin dhe mbi ligjin nuk është as Albin Kurti, i cili po mendon se është njëfarë shefi dhe mund ta interpretojë ligjin e Kushtetutën ashtu siç dëshiron vetë”, është shprehur deputetja e AAK-së. Kadrijaj ka theksuar se institucionet e Kosovës duhet të funksionojnë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet, ndërsa ka kërkuar që të respektohen afatet dhe vendimet që përcaktojnë funksionimin institucional.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
