Avdullah Hoti, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës lidhur me kontratën për eksportin e thëngjillit drejt Maqedonisë së Veriut, duke e cilësuar këtë si dëshmi të mungesës së vizionit për zhvillimin e sektorit energjetik. Hoti ka thënë se Qeveria po e paraqet si sukses eksportimin e thëngjillit, ndërsa, sipas tij, më herët ka anuluar projekte madhore në sektorin e energjisë. Ai ka rikujtuar se gjatë gjashtë viteve të qeverisjes së Lëvizjes Vetëvendosje nuk është ndërtuar, sipas tij, asnjë kapacitet i ri stabil energjetik, qoftë me thëngjill apo me gaz. “Pas anulimit të projekteve madhore energjetike, Kosova tash krenohet me eksportin e thëngjillit. E në anën tjetër, importon energjinë e prodhuar nga ai thëngjill”, ka shkruar Hoti. “Kushdo që merr vesh në ekonomi, e di se vendi që eksporton lëndë të parë dhe importon produktin e gatshëm të prodhuar plotësisht nga ajo lëndë e parë, siç është rasti konkret, tregon varfërinë e vet ekonomike dhe mungesën e vizionit për zhvillim”, ka deklaruar ai. Hoti e ka cilësuar situatën aktuale si “tranzicion energjetik” të Kosovës nën udhëheqjen e LVV-së, duke e përmbyllur reagimin e tij me kritika të ashpra ndaj qeverisë.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
