Histori e përsëritur ose një koincidencë më shumë e heroizmit shqiptar

Shpresa Bajraktari: 82-vjetori i heroizmit të 5 Heronjve të Vigut – Naim Gjylbegu, Ahmet Haxhia, Ndoc Mazi, Hidajet Lezha dhe Ndoc Deda

Qëndrimi heroik i 5 Heronjve të Vigut përcakton epokën e lavdisë së heronjve që dhanë jetën për çlirimin e atdheut nga ata që e tradhtuan atë.

Me nderim dhe mirënjohje të thellë kujtojmë 82-vjetorin e heroizmit të pashoq të 5 Heronjve të Vigut, të cilët ranë për atdheun, për të mos vdekur kurrë.

Më 21 gusht 1944, njësiti partizan prej pesë vetash: Naim Gjylbegu, Ahmet Haxhia, Ndoc Mazi, Hidajet Lezha dhe Ndoc Deda, vepronte në Mirditë dhe në Malësinë e Lezhës.

Komiteti Qarkor i Shkodrës dhe batalioni partizan “Perlat Rexhepi” e kishin ngarkuar këtë grup të punonte me popullin e kësaj krahine.

Veprimtaria revolucionare e këtij grupi u kishte sjellë shumë probleme reaksionarëve dhe pushtuesve fashistë. Prandaj, fashistët dhe bashkëpunëtorët e tyre vendosën t’i asgjësonin.

Pikërisht më 21 gusht 1944, ky njësit mori detyrë të shkonte në një takim në Nënqafën e Vigut, për të marrë pjesë në mbledhjen e Qarkorit të Partisë.

Rrugës për në Vig, ata u spiunuan, u ndoqën dhe u rrethuan nga forcat mercenare bashkëpunëtore të fashizmit, të udhëhequra nga kapedani Gjon Markaj Gjoni.

Pesë partizanët u rrethuan në një shesh të hapur, por megjithatë ata nuk e humbën toruan.

Ata e ndanë mendjen të luftonin deri në pikën e fundit të gjakut, edhe pse do të luftonin pesë trima kundër 200 armiqve, në një terren jo të favorshëm. Ata ndodheshin në terren të hapur, ndërsa mercenarët fashistë kishin zënë pozicione të favorshme për t’i luftuar.

Raporti ishte 1 me 40.

Në këto momente, duke ruajtur gjakftohtësinë dhe duke qenë të vendosur deri në fund për idealet e tyre, 5 trimat u bënë thirrje mercenarëve të shitur që të braktisnin komandën dhe të bashkoheshin me luftën partizane.

Përgjigjja e mercenarëve ishte se, sipas tyre, duhej të dorëzohej njësiti partizan prej pesë vetash.

Por thirrjes së kriminelëve ndaj partizanëve për t’u dorëzuar, partizanët iu përgjigjën trimërisht:

“Ne nuk dorëzohemi!

Armët i kemi ngjeshur për të luftuar fashizmin dhe tradhtarët e Atdheut dhe jo për t’ju dorëzuar atyre!”

Në këto rrethana, kur vdekja ishte shumë pranë tyre, Ndoc Mazi, njëri nga 5 Heronjtë e Vigut, shkroi një letër për Qarkorin e Partisë Komuniste të Shkodrës.

Në këtë letër shkruhej:

“Të dashur shokë! Jemi të rrethuar dhe presim në çdo minutë të na përshkojnë plumbat e tradhtarëve, po ne kena nda mendjen, më mirë me dhanë jetën si me le, sesa me tradhtu luftën që kemi nisë. Një herë kemi thanë:

‘Ja vdekje, ja liri!’

Pra, o shokë, ju do të ndiqni rrugën tonë, ku po e lamë dhe me guxim të pathyeshëm…

Shokë prej maleve të Mirditës, ku është çerdhja e tradhtarëve:

Ju çojmë përshëndetjet tona tuj brohoritë të gjithë një zani:

Vdekje fashizmit, liri popullit!

Vdekje okupatorëve barbarë që na kanë shndërru vatanin!

Rroftë Ushtria Nacionalçlirimtare!

Të fala të pesë shokët: Teli, Besniku, Tigri, Minuku, Hydai!”

Në këtë letër shprehej besimi i patundur i 5 Heronjve të Vigut se Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare do të triumfonte dhe se populli do të vendoste pushtetin e tij.

Me guxim e trimëri të rrallë vazhdoi lufta e pabarabartë, ku pesë Heronjtë e Popullit, pa iu trembur syri, zhvilluan një luftë të rreptë me armiqtë, duke zbrazur të gjitha plumbat e pushkëve dhe automatikëve dhe duke hedhur bomba, derisa gjetën vdekjen e tyre me nder, njëri pas tjetrit.

Lufta dhe heroizmi i 5 trimave u përhap në gjithë Mirditën, Lezhën e Shkodrën, si dhe në të gjithë Shqipërinë.

Heroizmi i pashoq i tyre bëri që brigadat partizane të vazhdonin fuqishëm luftën për çlirimin e plotë të Shqipërisë, për ta bërë popullin të lirë dhe të pavarur, jo vetëm nga pushtuesit, por edhe nga bashkëpunëtorët e tyre.

5 Heronjtë e Vigut ranë për të mos vdekur kurrë, duke mbetur pishtarë të pashuar.

Ne, shqiptarët e ndershëm, do t’u jemi gjithnjë falënderues dhe mirënjohës atyre dhe gjithë bijve e bijave shqiptare që morën pjesë me armë në dorë, duke mos kursyer as jetën për lirinë e Atdheut tonë të dashur.

Pas çlirimit, Heronjve dhe dëshmorëve iu ngritën këngë, poezi, filma, si dhe buste, për t’i mbajtur të pavdekshëm.

Për 5 Heronjtë e Vigut u bënë dy filma, iu thurën këngë dhe vargje poetike, ndërsa në qendër të qytetit të Shkodrës iu ngrit lapidari për t’i mbajtur gjithnjë të pavdekshëm.

Kolë Jakova do të shkruante poemën madhështore me titull “Heronjtë e Vigut”.

Dhe me fjalën e fundit të tyre do t’i drejtohej popullit të Mirditës:

“Lamtumirë, moj Mirditë,

Gjaku jonë t’u bëftë dritë,

Na ke pritë dhe na ke qitë,

Sofrën para na e ke shtrue,

Bukë e kripë e ç’të ka qëllue,

Na ke la, na ke arnue,

Këmishat tona laskarue!”

Vepra heroike e tyre dhe e gjithë të rënëve për liri u bë frymëzim për brezat e rinj.

Por, pas komunizmit, reaksioni dhe “hienat” e hoqën nga qendra e qytetit bustin e 5 Heronjve, duke i vrarë ata për herë të dytë, sepse i verbonte lavdia, trimëria dhe ideali i pavdekshëm i këtyre trimave që ranë për të mos vdekur kurrë, duke mbetur pishtarë të pashuar.

Megjithatë, ne shkodranët i kemi të ngulitur thellë në kujtesë dhe nuk do t’i harrojmë këta heronj që dhanë jetën me trimëri të pashoqe.

Sa herë që duam të lëmë takim në Shkodër me shokët dhe shoqet tona, themi:

“Do të takohemi në qendër, te 5 Heronjtë e Vigut.”

Heronjtë kurrë nuk mund të hiqen nga memoria e kombit shqiptar, pasi heroizmi i tyre është i çimentuar thellë në mendjen dhe zemrat e shqiptarëve të ndershëm dhe përbën historinë e lavdishme të kombit tonë.

Lavdi të përjetshme 5 Heronjve të Vigut!

Lavdi Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të udhëhequr nga komandanti Enver Hoxha!

 

Kontrolloni gjithashtu

Qerim Haxhiu (1920-2003) atdhetar, fetar dhe aktivist i shquar i Çështjes Kombëtare Shqiptare

Qerim Haxhiu (1920-2003) atdhetar, fetar dhe aktivist i shquar i Çështjes Kombëtare Shqiptare

Qerim Haxhiu lindi në Lushnjë, në vitin 1920. Ishte pjesëtari  familjes Haxhiu, djali i patriotit …