Vuçiq i ankohet Rutte-s për urën e Ibrit: Akuzon Kosovën për “terror” ndaj serbëve

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka kritikuar planet për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë, duke pretenduar se një veprim i tillë do të cenonte sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë. Në një videoadresim, Vuçiq ka deklaruar se gjatë pesë viteve të fundit, sipas tij, janë shënuar rreth 800 raste që ai i ka cilësuar si “sulme me motive etnike” ndaj serbëve në Kosovë. Ai ka pretenduar gjithashtu se 257 serbë janë arrestuar dhe se disa prej tyre janë keqtrajtuar. Vuçiq ka bërë të ditur se i ka dërguar një letër sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, duke i kërkuar që NATO-ja të mos mbështesë hapjen e urës mbi Ibër. “Sapo i kam dërguar një letër sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, me të cilin së fundmi pata një bisedë të rëndësishme në margjinat e samitit të Parisit. I kam kërkuar dhe i kam bërë thirrje që NATO-ja të mos lejojë hapjen e urës mbi Ibër”, ka deklaruar Vuçiq. Ai ka thënë gjithashtu se shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, Milan Mojsilloviq, ka zhvilluar një bisedë me komandantin e KFOR-it, Özkan Ulutaş, lidhur me çështjen e urës. Sipas Vuçiqit, Beogradi konsideron se hapja e urës duhet të trajtohet përmes dialogut, duke pretenduar se për këtë çështje nuk është arritur marrëveshje.

Kontrolloni gjithashtu

Dardan Molliqaj

Dardan Molliqaj: Abdixhiku e ka marrë peng LDK-në dhe po e vë në shërbim të Kurtit

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka kritikuar ashpër mënyrën e udhëheqjes së Lidhjes Demokratike …