CNN i kushton artikull Bjeshkëve të Nemuna: “Një nga zonat e fundit të egra të Evropës”

Rrjeti prestigjioz amerikan CNN ka publikuar një artikull të veçantë për shtegun “Majat e Ballkanit”, i cili përshkon Kosovën, Shqipërinë dhe Malin e Zi, duke e përshkruar këtë rajon si një nga zonat e fundit të mëdha të egra në Evropë.

Në artikullin e CNN-së theksohet se shtegu, i gjatë rreth 193 kilometra, kalon përmes Bjeshkëve të Nemuna dhe lidh tri shtete, pa pika të dukshme kufitare që të ndërpresin peizazhin natyror.

Sipas CNN-së, “Majat e Ballkanit” po tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë nga e gjithë bota, të cilët vijnë për të eksploruar majat gëlqerore, liqenet akullnajore, livadhet me lule të egra dhe pyjet e dendura të Bjeshkëve të Nemuna.

CNN e vë në pah edhe natyrën sfiduese të shtegut, i cili nuk kërkon aftësi teknike për ngjitje, por kërkon përgatitje të mirë fizike. Shtegu ka rreth 10 mijë e 700 metra ngjitje të akumuluar dhe mund të përshkohet në rreth 10 ditë ose në segmente më të shkurtra.

Një prej pikave të përmendura në artikull është edhe Liqeni i Hridit në Mal të Zi, ku vizitorët mund të pushojnë, të hanë drekë dhe të shijojnë ujin e ftohtë të liqenit, në një lartësi prej më shumë se 1.6 kilometra mbi nivelin e detit.

Artikulli i CNN-së ndalet edhe te historia e rajonit. Gjatë Luftës së Ftohtë, pjesë të këtyre zonave ishin të izoluara dhe të vështira për t’u vizituar, ndërsa gjurmët e së kaluarës shihen ende në bunkerët e braktisur në Shqipëri dhe në elemente të tjera të trashëgimisë së periudhave të konflikteve.

Sipas CNN-së, shtegu fillimisht u quajt “Shtegu i Paqes” dhe u krijua në vitin 2006, me synimin për të ndryshuar perceptimin ndërkombëtar për Ballkanin, një rajon që për një kohë të gjatë është lidhur me luftërat dhe konfliktet.

Në artikull theksohet gjithashtu ndikimi që turizmi malor ka pasur te komunitetet lokale. Familje që më parë mbështeteshin kryesisht në bujqësi dhe blegtori kanë filluar të sigurojnë të ardhura edhe përmes bujtinave, restoranteve dhe shërbimeve për turistët.

CNN sjell shembullin e një bujtine në Vusanje të Malit të Zi, ku numri i kampistëve është rritur ndjeshëm që nga zhvillimi i shtegut, si dhe atë të një bujtine në Çerem të Shqipërisë, e cila është zgjeruar për t’iu përgjigjur kërkesës në rritje të turistëve.

Artikulli vlerëson se “Majat e Ballkanit” ende nuk është prekur nga turizmi masiv dhe se sezoni kryesor zgjat nga qershori deri në shtator.

Përmes këtij artikulli, CNN e prezanton Kosovën, Shqipërinë dhe Malin e Zi si një destinacion të veçantë për turizmin malor, natyrën dhe aventurën, duke vënë në pah bukuritë e Bjeshkëve të Nemuna dhe potencialin e tyre për të tërhequr turistë nga e gjithë bota.

Burimi: CNN

Kontrolloni gjithashtu

Dardan Molliqaj

Dardan Molliqaj: Abdixhiku e ka marrë peng LDK-në dhe po e vë në shërbim të Kurtit

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka kritikuar ashpër mënyrën e udhëheqjes së Lidhjes Demokratike …