Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Nasim Haradinaj, ka kritikuar ashpër opozitën kosovare, duke e cilësuar atë si të dobët dhe të paaftë për ta sfiduar pushtetin. Haradinaj ka thënë se kryeministri në detyrë dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, është i qetë përballë një opozite që, sipas tij, nuk po arrin të ushtrojë presion të mjaftueshëm politik. “Pse mos me u relaksu ai? Çka po bën opozita?”, ka deklaruar Haradinaj. Ai ka krahasuar opozitën aktuale me mënyrën se si Vetëvendosje vepronte kur ishte në opozitë, duke pretenduar se kjo e fundit përdorte forma shumë më të ashpra të kundërshtimit politik. “Ai që ka hy me tym, ai që ka hy me gjak, ai që ka hy dhunshëm në Parlament, ai nuk del me këtë lloj opozite çfarë e kemi. Më vjen shumë keq”, është shprehur Haradinaj. Sipas tij, përballë kësaj opozite, Kurtit nuk i rrezikohet “relaksi”. “Albin Kurtit s’ka nevojë me iu prishë relaksi me këtë lloj opozite që e ka”, ka thënë ai. Haradinaj ka drejtuar kritika edhe ndaj deputetëve opozitarë, duke pretenduar se një pjesë e tyre janë mjaftuar me përfitimet materiale dhe paraqitjet mediatike, pa ndërmarrë veprime të mjaftueshme politike. “Kemi deputetë që janë rahatu me një rrogë, janë rehatu me dy-tri intervista, janë rehatu materialisht”, ka deklaruar Haradinaj. Deklaratat e tij vijnë në një periudhë të tensionuar politike, kur Kuvendi vazhdon të përballet me bllokadë institucionale dhe partitë opozitare po kërkojnë mënyra për të ushtruar presion ndaj shumicës parlamentare dhe për të tejkaluar ngërçin politik.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
