Takimi i paralajmëruar mes kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe komandantit të KFOR-it, gjeneralmajorit Ozgan Ulutash, nuk është zhvilluar për shkak të asaj që KFOR-i i ka cilësuar si “rrethana të paparashikuara”. Në një njoftim, misioni i NATO-s në Kosovë tha se Ulutash mbetet në kontakt të ngushtë me të gjithë partnerët, përfshirë institucionet e Kosovës, pa dhënë detaje të tjera për arsyen e anulimit. Çështja e urës kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë ka qenë ndër temat e fundit të diskutuara mes institucioneve të Kosovës dhe partnerëve ndërkombëtarë. Kurti ka deklaruar se mbajtja e urës të mbyllur është bërë e panevojshme, duke argumentuar se hapja do të ndikonte pozitivisht në lëvizjen e qytetarëve, ekonomi dhe siguri. “Është bërë absurde që ajo urë të mbahet e mbyllur”, ka deklaruar Kurti, duke iu referuar faktit se qarkullimi tashmë zhvillohet përmes urave të tjera mbi Ibër. Ndërkohë, Bashkimi Evropian ka kërkuar koordinim ndërmjet institucioneve qendrore dhe komunave veriore për çështjen e hapjes së urës. Brukseli ka bërë të ditur se, pas përfundimit të punimeve në urën Austerlitz dhe kryerjes së vlerësimeve e konsultimeve të nevojshme, janë përmbushur kushtet që ura kryesore të hapet. Megjithatë, BE-ja ka theksuar nevojën për “koordinim efektiv” dhe “konsultime kuptimplota”, ndërsa në raportin e vitit 2025 kishte kërkuar që hapja e urës të koordinohej me partnerët e sigurisë. Në këtë situatë, KFOR-i ka njoftuar më herët për një “tranzicion gradual” të pranisë së përhershme të trupave në urën kryesore mbi Ibër. Anulimi i takimit mes Kurtit dhe komandantit të KFOR-it vjen pikërisht në kohën kur mënyra dhe dinamika e këtij tranzicioni mbeten pjesë e diskutimit ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
