Shqipe Krasniqi, bijë e dritës, shtyllë e pajtimit dhe zëri i ndërgjegjes kombëtare
Nga shkrimet e ndryshme historike kemi mësuar se përtej çdo kronike të thatë historike, çdo lëvizje e madhe popullore pati fytyrat e saj më të pastra, ata shpirtra të brishtë, por të pathyeshëm që mbi supet e tyre të njoma bartën fatin e një epoke. E tillë është figura e Shqipe Krasniqit, studentes së re në Universitetin e Prishtinës, nga Tërpeza e Poshtme e Malishevës, e cila lindi dhe u rrit në vatrën e ndritur të mësimdhënësit të shquar e tani martir, Jashar Krasniqi. E rritur me brumin e diturisë, të atdhetarisë dhe të fjalës së urtë të babait të saj – burrë i dijes që dëshmoi me jetën e veprën e tij se çdo të thotë të qëndrosh i palëkundur në shërbim të kombit – Shqipja do të bartte trashëgiminë e këtij idealizmi pikërisht aty ku historia kërkonte sakrifica dhe madhështi. Në kohën kur Kosova po lëkundej nga themelet nën stuhitë e egra të kohës, kjo vajzë me shall të kuq nuk do të ishte thjesht një dëshmitare e kohës, por një shtyllë e gjallë e ndërgjegjes kombëtare. Duke shkelur odave të ngujuara e mbi dhembjet e saj më të freskëta, ajo u shndërrua në mishërimin e vetë shqipes së maleve – në atë forcë hyjnore që nuk kërkoi gjak, por falje, që nuk mbolli ndarje, por bashkim, duke lënë pas gjurmë të pashlyeshme në altarin e historisë sonë të lavdishme.
Kosova në pragun e krizës dhe kushtrimi i madh i kohës
Për ta kuptuar madhështinë dhe peshën e jashtëzakonshme të Lëvizjes për Pajtimin e Gjaqeve, duhet kthyer vështrimin te ajo krizë e thellë ekzistenciale në të cilën u gjend Kosova në prag të viteve ’90. Ishte një periudhë kur fati i shqiptarëve po lëkundej mes shkatërrimit të dhunshëm nga regjimi pushtues dhe domosdoshmërisë jetike për t’u bashkuar.
Në vitin 1989, autonomia e Kosovës u suprimua dhunshëm me tanket e regjimit të Slobodan Milosheviqit, duke e zhytur popullsinë shqiptare në një apartheid të egër institucional, policor dhe ekonomik. Dhjetëra mijëra punëtorë shqiptarë u dëbuan nga puna, arsimi shqip po mbytej, ndërsa terrori dhe dhuna e përditshme policore ishin bërë realitet i hidhur. Për më tepër, shoqëria shqiptare po lëngonte nga një plagë e rëndë shekullore që e përçante nga brenda: hasmëritë dhe gjakmarrjet, të cilat në atë kohë kishin lënë të mbyllura në ngujim qindra familje dhe kishin marrë jetë njerëzish.
Pikërisht në këtë udhëkryq fatal, kur rreziku i shfarosjes dhe i përçarjes kombëtare po kanosej nga çdo anë, lindi ideja gjeniale e urtësisë popullore: Para se të përballem me armikun e jashtëm, duhet të pajtohem me vëllanë tim.
Aksioni i madh mori formë zyrtare dhe vendimtare më 29 janar 1990, ndërsa shkëndija e parë u ndez më 2 shkurt 1990 në Lumbardh të Deçanit. Ky karvan shprese u vu në lëvizje falë energjisë së një plejade intelektualësh, studentësh, ish-të burgosurish politikë dhe veprimtarësh të shquar, mes të cilëve emra si Anton Çetta (patriarku i urtësisë dhe i pajtimit), Myrvete Dreshaj, Have Shala, Adem Grabovci, Brahim Dreshaj, Lulëzim Etemaj, e mijëra të tjerë.
Oda shqiptare u shndërrua nga një vatër e ngujimit në një tempull të faljes. Lëvizja mori përmasa biblike, duke arritur kulmin e saj më 1 maj 1990 në Verrat e Llukës, ku në praninë e qindra mijëra qytetarëve u shtrënguan duart e pajtimit mes dhjetëra familjeve të ndara nga gjaku. Ishte ky mobilizim i paparë moral që e shëroi shoqërinë shqiptare nga brenda, duke e shndërruar dhimbjen në forcë dhe duke krijuar unitetin e hekurt që do t’i duhej popullit për t’i përballuar sfidat e mëdha dhe luftën që po afrohej.
Në këtë karvan të madh njerëzor që ecte derë më derë, odë më odë e fshat më fshat, duke kërkuar falje e duke shëruar shpirtra, u bashkua edhe një studente e re nga Tërpeza e Poshtme e Malishevës – Shqipe Krasniqi. Ajo ishte e re në moshë, për mirëfilli po e kuptonte se nuk bëhej fjalë thjesht për një aksion të zakonshëm, por për shpëtimin e së ardhmes së një kombi.
Dita e dhembjes së dyfishtë: 6 shtator 1991
Për Shqipe Krasniqin, rrugëtimi i pajtimit do të merrte një kuptim të jashtëzakonshëm dhe drithërues më 6 shtator 1991. Vetëm pak ditë më parë, më 31 gusht 1991, në Shibenik të Kroacisë, ishte vrarë kushëriri i saj, Samedin Fazli Krasniqi. Samedini po kryente shërbimin ushtarak në ish-APJ dhe kishte refuzuar prerazi t’u bindej urdhrave të serbëve për të luftuar popullin kroat. Për këtë qëndrim burrëror, ai pagoi me jetë.
Më 6 shtator, Samedini u varros në varrezat e lagjes Arbanë në Prizren. Ishte një varrim madhështor, por i zhytur në një mjerim e dhembje të pafund. Samedini la pas gruan e re dhe tre fëmijë të mitur: Petritin 8 vjeç, Astritin 6 dhe vogëlushen Gentiana 4 vjeçe, e cila nuk largohej nga arkivoli duke kërkuar përqafimin e fundit të babait. Mbi trupin e pajetë të kushëririt, ndërsa forcat serbe mbanin zonën të rrethuar, Shqipja i dha lamtumirën me fjalët:
“Sot një lule u vyshk, një filiz u tha, por jeta nuk vdes, Samedin, o vëlla.”

Kërkesa e madhe: Kur plagët kërkojnë shërim
Por dhembja nuk kishte mbaruar aty. Pak orë pas përfundimit të varrimit, ndërsa lotët e familjarëve nuk ishin tharë ende, profesori Bajram Kurti iu afrua Shqipes me një kërkesë që për çdo njeri tjetër do të dukej e pamundur. Atë ditë pikëllimi, mund të bëhej një vepër e madhe: të pajtoheshin dy familje shqiptare që ishin në gjak me njëra-tjetrën – njëra katolike dhe tjetra myslimane.
E sapodalë nga varrimi i kushëririt, Shqipja u ndodh para një sprove historike. Nëse armiku i kishte marrë jetën Samedinit, shqiptarët nuk mund të lejonin të derdhnin më gjak mes veti. Ajo pranoi. Së bashku me profesor Bajram Kurtin, djalin tetëvjeçar të Samedinit, Petritin, dhe të riun Flamur Hoti, u nisën drejt Gjonajt të Hasit, te familja e Veli Hodës.
Në odën e Veli Hodës, aty ku u thye shpirti dhe u ngrit besa

Në shtëpinë e Veli Hodës, dy djemtë mbanin ende në trup plumbat e plagëve të marra nga familja e Gjok Dushit nga Nasheci. Kur iu kërkua falja e gjakut, plaku Veli fillimisht refuzoi, duke thirrur djemtë që të tregonin plagët e rënda. Pastaj u drejtua nga Shqipja me pyetjen therëse: “A do t’i falje ti këto?”
Oda ishte e vogël, me dritare pranë tokës ku fëmijët shikonin me kureshtje. Shqipja u ngrit në këmbë. E veshur me dhembjen e freskët të varrimit të kushëririt, ajo foli nga thellësia e shpirtit:
“Axha Veli, nënë loke, sot jemi këtu për dy djemtë tuaj… Sot varrosëm një djalë 28-vjeçar, një vëlla tonin, që la pas tre fëmijë e gruan e re. Ky këtu, Petriti, është djali i tij tetëvjeçar që do të rritet pa baba. Por, nënë loke, ne nuk mund ta marrim hakun e Samedinit duke vrarë një shqiptar. Haku kërkohet bashkë me djemtë tuaj, por së pari duhet ta falim gjakun e vëllait, që të qëndrojmë të bashkuar përballë armikut shekullor serb qe po na i vret fëmijët.”
Fjalët e saj përshkuan muret e odës dhe prekën në palcë nënën e shtëpisë. Me sytë e mbushur me lot, nëna u tha:
“Kanë ardhur plot burra të mëdhenj, por ti sot ma theve shpirtin… Pashë gjinin që jua kam dhënë, mos ma prishni. Nuk mund ta kthej këtë motër shqiptare. Do t’ia fal gjakun!”
Djemtë u përkulën para fjalës së nënës. Dy familjet u përqafuan, ndërsa vogëlushi Petrit u shtrëngua në gjirin e burrave që vendosën t’i japin fund gjakmarrjes. Pas Gjonajt, fjala e mirë shkoi edhe te familja e Gjok Dushit në Nashec, e cila gjithashtu pranoi pajtimin, duke bërë që të nesërmen të dyja familjet të shkonin së bashku për t’i shprehur ngushëllime familjes së Samedinit.
Dritarja e mbetur e hapur
Kanë kaluar 35 vjet nga ajo ditë e dhembshur shtatori e vitit 1991. Sot, Shqipe Krasniqi e kujton me krenari atë kohë, jo si një meritë vetjake, por si dëshmi të një brezi që kuptoi se fëmijët shqiptarë nuk duhet të trashëgojnë hakmarrjen.
Atë ditë, në një odë të vogël në Gjonaj, nuk u pajtuan thjesht dy familje. Aty u pajtua dhembja me shpresën, falja u bë forcë, dhe një grua e re dëshmoi se edhe në çastet e saj më të rënda të jetës, mund të bëhet ura që bashkon një popull të tërë. Dritarja që u hap atë ditë mbetet e hapur edhe sot, për ta kujtuar përjetësisht se lum ai që mbyll një plagë dhe hap një dritare gëzimi e shprese.

(P.S. Ky shkrim u ndërtua duke u mbështetur në kujtimet për veprimtarinë e Shqipe Jashar Krasniqit, mësimdhënëse, luftëtare e UÇK-së dhe pjesëtare e Policisë së Kosovës).
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
