– Jam habitur me rritjen e punëtorëve të huaj, filipinezë, egjiptianë, indianë, pakistanezë në shërbime, bujqësi, blegtori, ndërtim etj, në Labëri
– Shqipëria, nga një vend që për dekada eksportoi emigrantë, duket se po kthehet gradualisht në një vend që importon fuqi punëtore, ndaj po plaket me shpejtësi
– Nga njëra anë kemi një numër të madh të rinjsh shqiptarë që largohen jashtë vendit, nga ana tjetër bizneset vendase po kërkojnë gjithnjë e më shumë punëtorë të huaj
– Shqipëria, për shkak të pozicionit të saj gjeografik, po përdoret si një rrugë tranziti nga emigrantë të parregullt që synojnë të arrijnë vendet e Bashkimit Evropian
– Trafikantët u premtojnë kalimin drejt vendeve të BE-së kundrejt shumave të konsiderueshme, ndërsa emigrantët shpesh përballen me rrezik, mashtrim dhe kushte të vështira.
-Shqipëria ka nevojë për më shumë organizim, bashkëpunim dhe dialog qeveritar-qytetar
-Qeveritë shqiptare i nënvleftësojnë emigrantët dhe kujtohen vetëm për votime dhe pse ata janë pjesa më aktive e ekonomisë shqiptare
– Në Shqipëri çmimet në shumë raste ndryshojnë shumë shpejt, madje duket sikur ndryshojnë edhe sipas orarit, fluksit apo vendit ku ndodhesh
Intervistoi: Albert Z. Zholi
Ilirjan Dhima është një nga zërat aktivë të komunitetit shqiptar në Greqi. Në drejtimin e Shoqatës “Shqipëria” në Athinë, ai ka ndjekur nga afër problematikat e emigrantëve shqiptarë, lidhjet e tyre me vendlindjen, lëvizjet sezonale drejt Shqipërisë, si dhe zhvillimet shoqërore e politike në vend. Në këtë intervistë për “Telegraf”, ai flet për verën e këtij viti, situatën në Dukat, aktivitetin e shoqatës, lëvizjet mes Greqisë dhe Shqipërisë, rënien e numrit të emigrantëve shqiptarë në Greqi dhe protestën që prej muajsh zhvillohet në Tiranë.
– Si ju duk kjo verë në Shqipëri, veçanërisht në Dukat, nga jeni ju? A pati më shumë lëvizje të emigrantëve dhe pushuesve?
– Shqipëria kishte njerëz, kishte lëvizje dhe padyshim që edhe këtë verë pati shumë shqiptarë që u kthyen për pushime. Por, po ta krahasojmë me vitet e mëparshme, mendoj se lëvizja nuk ishte në të njëjtin nivel. Dukati, si një zonë me bukuri të jashtëzakonshme dhe me lidhje të forta me emigracionin, pati vizitorë, por përballoi edhe probleme që përsëriten pothuajse çdo vit. Një prej tyre është problemi i ujit, ndërsa një tjetër është qarkullimi rrugor, sidomos në periudhat e fluksit. Por këtë vit problemi më i madh dhe më shqetësues ishin zjarret. Ne u dogjëm. Dukati përballet çdo vit me rrezikun e zjarreve dhe kjo nuk mund të trajtohet më si një dukuri e zakonshme e verës. Duhet një strategji e qëndrueshme për parandalimin dhe përballimin e tyre. Nuk mjafton të ndërhyjmë vetëm kur zjarri ka marrë përmasa të mëdha.
– Çfarë aktivitetesh zhvilloi Shoqata “Shqipëria” gjatë qëndrimit tuaj në vend?
– Ne e shfrytëzuam këtë periudhë për të zhvilluar një sërë takimesh. Morëm kontakt dhe u takuam me të gjitha degët e shoqatës, ku bëmë një bilanc të punës së deritanishme, por edhe diskutuam për objektivat që kemi për të ardhmen. Më pas zhvilluam takime në Piqeras, Gjirokastër dhe Vlorë, ku kemi një pjesë shumë aktive të strukturave dhe të anëtarësisë sonë. Për ne, shoqata nuk është vetëm një strukturë që organizon aktivitete. Ajo duhet të jetë një urë lidhëse mes emigrantëve dhe Shqipërisë. Ne duam që shqiptarët që jetojnë jashtë vendit të mos shkëputen nga vendi i tyre, por të kontribuojnë me mundësitë që kanë.
– Si ishte lëvizja nga Athina drejt Vlorës dhe anasjelltas gjatë kësaj vere?
– Kishte shumë lëvizje. Në periudhat e fluksit rrugët dhe pikat e kalimit kufitar përballojnë një numër të madh njerëzish. Por duhet thënë edhe një gjë: kur ka fluks, pala greke nuk e rrit sa duhet numrin e sporteleve në funksion. Kjo krijon radhë dhe pritje të gjata, duke e bërë udhëtimin më të lodhshëm për qytetarët. Mendoj se duhet më shumë koordinim mes institucioneve shqiptare dhe greke, sidomos në periudhat e verës dhe festave, kur lëvizja e emigrantëve është shumë më e madhe.
– A mendoni se këtë vit kanë ardhur më pak emigrantë shqiptarë nga Greqia për pushime në Shqipëri?
– Mendoj se nuk kanë ardhur më shumë se vitin e kaluar dhe një nga arsyet kryesore janë çmimet. Në Greqi çmimet janë relativisht më të stabilizuara. Atje bizneset e njohin tregun dhe, mbi të gjitha, njohin shijen dhe mundësitë e klientëve dhe turistëve. Në Shqipëri kemi një problem tjetër. Çmimet në shumë raste ndryshojnë shumë shpejt, madje duket sikur ndryshojnë edhe sipas orarit, fluksit apo vendit ku ndodhesh. Kjo krijon dyshime dhe pasiguri te konsumatori. Shqiptari i emigracionit nuk është më ai i viteve të para. Ai udhëton, krahason dhe e di se çfarë ofrohet në vende të tjera. Prandaj Shqipëria duhet të ketë më shumë seriozitet në raportin çmim–shërbim–cilësi.
– A është zvogëluar numri i emigrantëve shqiptarë që jetojnë në Greqi?
– Po, numri po ulet çdo vit. Është një realitet që duhet parë me shumë vëmendje. Një pjesë e shqiptarëve largohen nga Greqia për të kërkuar një jetë më të mirë në vende të tjera të Bashkimit Evropian. Të tjerë shkojnë edhe në Shtetet e Bashkuara apo Kanada. Ndërsa një pjesë shumë e vogël, kryesisht për shkak të moshës, kthehet në Shqipëri. Pra, komuniteti shqiptar në Greqi po ndryshon. Brezi i parë i emigrantëve po plaket, ndërsa brezi i ri është më i lëvizshëm dhe kërkon mundësi aty ku mendon se ka perspektivë më të mirë. Kjo duhet të jetë një kambanë alarmi edhe për Shqipërinë. Nëse duam që shqiptarët të kthehen dhe të investojnë këtu, duhet të krijojmë më shumë siguri, më shumë mundësi dhe më shumë besim te institucionet.
– Si do ta cilësonit protestën shqiptare në Tiranë, e cila tashmë po mbush tre muaj?
– Unë jam pro çdo proteste paqësore. Protestat janë një instrument i demokracisë dhe, kur zhvillohen në mënyrë paqësore, janë një mënyrë që qytetarët t’u kërkojnë llogari qeverive. Protestat bëjnë që qeveritë të reflektojnë dhe t’i vënë gishtin kokës. Në një demokraci, asgjë nuk duhet të bëhet pa dëgjuar zërin e qytetarëve. Megjithatë, duhet të them se fryma e kësaj proteste më duket e dobët. Organizimi ka rënë dhe duket se mungon një drejtim i qartë.
– Çfarë mendoni se i mungon kësaj proteste?
– Mendoj se problemi kryesor është se nuk ka një drejtim të unifikuar. Ka disa grupime shoqatash, individë të ndryshëm dhe interesa të ndryshme. Ka edhe perceptime se disa prej tyre mund të jenë të nxitura nga faktorë të jashtëm apo nga parti politike. Unë nuk mund të them se kush qëndron pas njërit apo tjetrit grupim, por ajo që shoh është se nuk po gjendet një emërues i përbashkët. Nëse një protestë kërkon të jetë e fuqishme dhe të ndikojë realisht në vendimmarrje, duhet të ketë disa kërkesa të qarta, një platformë të kuptueshme dhe një organizim që t’i bashkojë njerëzit. Përndryshe rrezikohet që një kauzë e drejtë të dobësohet nga përçarjet.
– Pra, sipas jush, çfarë duhet të bëjë opozita sociale dhe qytetare?
– Duhet të bashkohet rreth problemeve reale të njerëzve. Nuk mund të ketë sukses një lëvizje që flet me shumë zëra dhe kërkon shumë gjëra njëherësh. Duhet një platformë qytetare, ku të përfshihen pensionistët, emigrantët, të rinjtë, bizneset e vogla, intelektualët dhe të gjithë ata që kanë shqetësime konkrete. Unë besoj te dialogu, por besoj edhe te protesta paqësore. Të dyja janë pjesë e demokracisë. Shqiptarët jashtë vendit nuk janë vetëm njerëz që sjellin para në Shqipëri gjatë verës. Ata janë një kapital njerëzor, profesional dhe intelektual. Shoqatat duhet të shërbejnë si ura lidhëse. Ne duhet të komunikojmë me Shqipërinë, të japim mendimet tona, të evidentojmë problemet dhe, kur kemi mundësi, të kontribuojmë edhe konkretisht. Në fund të fundit, pavarësisht se ku jetojmë, Shqipëria mbetet vendi ynë.
– Çfarë mesazhi do t’u jepnit shqiptarëve të Greqisë dhe atyre që jetojnë jashtë Shqipërisë?
– Të mos e harrojnë vendin e tyre. Por njëkohësisht Shqipëria duhet t’i mirëpresë ata me respekt dhe jo t’i shohë vetëm si konsumatorë gjatë muajve të verës. Emigranti ka nevojë për një Shqipëri ku të ndihet i respektuar, ku çmimet të jenë të arsyeshme, shërbimet të jenë cilësore dhe ku të ketë siguri për të investuar. Ne duhet të ndërtojmë një marrëdhënie të re mes Shqipërisë dhe diasporës, jo vetëm mbi nostalgjinë, por mbi bashkëpunimin, respektin dhe interesin e përbashkët.
– Shumë shqiptarë në Greqi tashmë janë bërë pronarë lokalesh, ndërmarrjesh ndërtimi, punishte dhe biznesesh të ndryshme. Pse ka ndodhur kjo?
– Është një ndryshim shumë i madh që ka ndodhur gjatë viteve të fundit dhe që tregon edhe integrimin ekonomik të shqiptarëve në shoqërinë greke. Arsyeja kryesore është se në shumë zona të thella, por edhe në disa qendra kryesore, të rinjtë grekë preferojnë punë më të lehta, me më pak vështirësi fizike dhe, në shumë raste, punë që ofrojnë të ardhura të mira. Një pjesë e të rinjve grekë që janë më aktivë dhe më të arsimuar zgjedhin gjithashtu të largohen për emigracion, veçanërisht nga zonat rurale. Si rezultat, në disa prej këtyre zonave ka krijuar një boshllëk të madh në tregun e punës. Në disa fshatra dhe zona rurale, madje, shqiptarët janë tashmë komuniteti më i pranishëm dhe më aktiv ekonomikisht. Shqiptarët nuk janë më vetëm punëtorë. Sot ata po kalojnë gjithnjë e më shumë nga pozicioni i punëmarrësit në atë të sipërmarrësit dhe punëdhënësit. I gjen në krye të ndërmarrjeve të ndërtimit, në përpunimin e produkteve të bulmetit, në peshkim, në lokale, punishte dhe aktivitete të tjera ekonomike.
-Z. Ilirjan, çfarë ju ka bërë më shumë përshtypje këto ditë në Shqipëri dhe, konkretisht, në Labëri?
Po vihet re një dukuri e re: rritja e numrit të punëtorëve të huaj në shërbime, bujqësi, blegtori, ndërtim etj. Filipinezë, egjiptianë, indianë, pakistanezë e shtetas të vendeve të tjera po shihen gjithnjë e më shumë në jug të vendit. Pra, Shqipëria, nga një vend që për dekada eksportoi emigrantë, duket se po kthehet gradualisht në një vend që importon fuqi punëtore. Ndërkohë, të rinjtë shqiptarë po largohen, po kontribuojnë në zhvillimin e vendeve të Evropës dhe, në të njëjtën kohë, po plaket Shqipëria. Pra shihet një ndryshim! Është një nga ndryshimet më të dukshme dhe më domethënëse të Shqipërisë së viteve të fundit. Ajo që më ka bërë përshtypje veçanërisht në Labëri është kontrasti mes dy realiteteve: nga njëra anë kemi një numër të madh të rinjsh shqiptarë që vazhdojnë të largohen jashtë vendit, ndërsa nga ana tjetër bizneset vendase po kërkojnë gjithnjë e më shumë punëtorë të huaj për të plotësuar vendet e punës që mbeten bosh. Kjo dukuri është e dukshme në turizëm, në restorante e hotele, në ndërtim, në bujqësi, blegtori dhe në sektorë të tjerë ku kërkohet punë fizike dhe e vazhdueshme. Në shumë zona të jugut, sidomos gjatë sezonit turistik, tashmë shikon punëtorë nga vende të ndryshme të botës. Kjo nuk duhet parë vetëm si një fenomen ekonomik, por edhe si një sinjal i fortë demografik e shoqëror. Shqipëria për shumë vite ishte një vend që eksportonte fuqi punëtore. Sot po shfaqet një paradoks: ne vazhdojmë të eksportojmë të rinjtë tanë, ndërkohë që importojmë punëtorë për të mbajtur gjallë sektorë të rëndësishëm të ekonomisë. Kjo do të thotë se kemi një problem serioz me raportin midis tregut të punës, pagave, kushteve të punës dhe perspektivës që u ofrojmë të rinjve. Nëse një i ri shqiptar nuk e sheh të ardhmen e tij në vendin e vet, ndërsa një biznes shqiptar detyrohet të kërkojë punëtorë në Filipine, Indi, Pakistan, Egjipt apo vende të tjera, atëherë duhet të pyesim veten se çfarë po ndodh me modelin tonë ekonomik dhe social. Më shqetësues është fakti se kjo ndodh në një kohë kur Shqipëria ka nevojë pikërisht për rininë e saj. Të rinjtë nuk janë vetëm fuqi punëtore; ata janë familjet e së nesërmes, prindërit e ardhshëm, profesionistët, sipërmarrësit dhe kontribuuesit kryesorë në zhvillimin e vendit. Kur ata largohen në masë, pasojat nuk maten vetëm me numrin e vendeve të punës që mbeten bosh. Ato maten me plakjen e popullsisë, me tkurrjen e komuniteteve dhe me dobësimin e perspektivës demografike.
-Një tjetër dukuri që vihet re është ardhja në Shqipëri e emigrantëve të parregullt, sidomos përmes Greqisë. Nga Turqia, emigrantë nga Lindja e Mesme dhe Azia kalojnë drejt Greqisë dhe më pas tentojnë të hyjnë në Shqipëri, me synim vazhdimin e rrugës drejt vendeve të Bashkimit Evropian. A jeni njohur me këtë fenomen?
Po, është një fenomen që po bëhet gjithnjë e më i dukshëm dhe që duhet trajtuar me shumë seriozitet. Shqipëria, për shkak të pozicionit të saj gjeografik, mund të përdoret si një rrugë tranziti nga emigrantë të parregullt që synojnë të arrijnë vendet e Bashkimit Evropian. Në disa raste bëhet fjalë për persona që vijnë nga vende të Lindjes së Mesme dhe Azisë, kalojnë nëpër Turqi, më pas në Greqi dhe kërkojnë rrugë të tjera për të vazhduar drejt Evropës Perëndimore. Kjo krijon një problem jo vetëm humanitar, por edhe një problem të sigurisë kufitare dhe të luftës kundër trafikimit të qenieve njerëzore. Ajo që është edhe më shqetësuese është se rreth këtyre lëvizjeve mund të krijohen rrjete kriminale që përfitojnë financiarisht nga dëshpërimi i emigrantëve. Trafikantët u premtojnë kalimin drejt vendeve të BE-së kundrejt shumave të konsiderueshme, ndërsa emigrantët shpesh përballen me rrezik, mashtrim dhe kushte të vështira. Për këtë arsye, duhet bërë një dallim i qartë mes emigrantit që kërkon një jetë më të mirë dhe trafikantit që përfiton nga ky fenomen. Emigranti nuk është domosdoshmërisht problem; problemi është rrjeti kriminal që e shfrytëzon atë. Shqipëria duhet të ruajë një qasje njerëzore ndaj emigrantëve, duke respektuar ligjin dhe të drejtat themelore të njeriut. Lufta kundër trafikimit nuk duhet të kthehet në luftë kundër njerëzve që ndodhen në një situatë të dëshpëruar. Synimi duhet të jetë goditja e organizatorëve dhe trafikantëve, jo viktimizimi i viktimave të tyre. Në fund të fundit, të dyja dukuritë që përmendëm – largimi i të rinjve shqiptarë dhe ardhja e fuqisë punëtore të huaj – janë pjesë e të njëjtit problem më të madh: Shqipëria po ndryshon me shpejtësi strukturën e saj demografike dhe të tregut të punës. Dhe ky është një realitet që kërkon një debat serioz kombëtar, jo thjesht statistika apo deklarata politike.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
