27 vjet pritje për Idriz Rrecajn: Shpresa e familjes mes varrezës masive dhe frikës nga e vërteta

Për 27 vjet, familja e Idriz Rrecajt ka jetuar me dhimbjen dhe pasigurinë e mungesës së tij. Që nga 19 prilli i vitit 1999, kur ai u zhduk së bashku me 22 shqiptarë të tjerë, familjarët kanë kërkuar gjurmë për fatin e tij, ndërsa sot një varrezë masive e zbuluar në Zubin Potok ka rikthyer shpresën se më në fund mund të mësohet e vërteta. Idriz Rrecaj, veprimtar politik dhe intelektual nga Skenderaj, i dekoruar në vitin 2019 me titullin “Hero i Kosovës”, dyshohet se është në mesin e 23 shqiptarëve mbetjet mortore të të cilëve janë zbuluar në Kalludër të Vogël dhe Jabukë. Gërmimet dhe zhvarrimet në këtë lokacion kanë përfunduar më 21 gusht, ndërsa identifikimi përfundimtar pritet të bëhet përmes analizave të ADN-së. Për vajzën e tij, Flora Rrecaj, parku në Skenderaj ku ndodhet busti i babait është bërë ndër vite vendi ku ajo gjen një lloj afërsie me të, pasi familja nuk ka pasur një varr ku mund ta kujtonte dhe nderonte. Familja kishte kërkuar për vite me radhë në lista të burgjeve në Serbi, në dëshmi dhe informacione të ndryshme, ndërsa informacioni për Kalludrën e Vogël ishte raportuar te UNMIK-u dhe Policia e Kosovës që në vitin 2003. Sipas të dhënave të Fondit për të Drejtën Humanitare, një dëshmitar serb kishte dhënë atëherë informacione për vrasjen dhe varrosjen e fshehtë të 23 civilëve shqiptarë në atë zonë. Pas më shumë se dy dekadash pritjeje, familja Rrecaj ndodhet tash mes shpresës për t’i dhënë fund pasigurisë dhe frikës nga rezultati i ADN-së. “Janë ndjenjat e dhimbjes, shpresës, por edhe frikës. Pas kaq shumë vitesh, tash e ke një frikë prej përgjigjes. Por, megjithatë, është e domosdoshme dhe shumë e nevojshme të dihet e vërteta”, është shprehur Flora Rrecaj.

Kontrolloni gjithashtu

Smajl Latifi: 27 vjet pas luftës, ende kërkojmë përgjigje – Ku janë të zhdukurit me dhunë?

Kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, ka përkujtuar 30 Gushtin, Ditën Ndërkombëtare të të Zhdukurve, duke …