Fatmir Grejqevci: Gjon Serreqi e Bahri Fazliu

Ndonëse ishin në të 20-at e tyre, të dy ishin prijës shembullorë të dy lëvizjeve idealiste për çlirim dhe bashkim kombëtar: Gjoni i LNDSH-së, ndërsa Bahriu i LKÇK-së.

Botës shqiptare, në asnjë epokë, nuk i kanë munguar heronjtë, ama janë disa prej tyre që të mahnisin me vizionin e tyre, sidomos kur merr parasysh moshën e re në të cilën u shquan. I tillë është Gjon Serreqi (1920–1947). Ndonëse i ri në moshë, ai kishte mahnitur ajkën e atdhetarëve të Kosovës, para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, me vizionin, atdhetarizmin dhe qëndrimin e tij stoik përballë sfidave me të cilat po përballej populli shqiptar i Kosovës.

Ndonëse ishte vetëm në mesin e të 20-tave, ajka e atdhetarëve shqiptarë e kishte vendosur në krye të Lëvizjes Nacional-Demokratike Shqiptare, e cila luftonte me çdo mjet kundër ripushtimit të Kosovës nga Jugosllavia. Gjon Serreqi qëndroi stoik edhe përballë torturave të OZN-së dhe gjyqit ushtarak në Prishtinë, i cili e dënoi me vdekje – pushkatim. Dënimi u ekzekutua më 31 gusht të vitit 1947, në Tauk Bahçe (Stërlishte), në Prishtinë, ku u varros pa shenjë e pa nishan, në moshën 27-vjeçare.

Gjysmë shekulli më vonë, në altarin e atdheut bie edhe një vizionar tjetër, Bahri Fazliu, po ashtu në moshën 27-vjeçare. Edhe Bahri Fazliu (1971–1998), ndonëse ishte në të 20-tat e jetës së tij, me vizionin dhe largpamësinë e tij kishte bërë që shokët e idealit ta vendosnin në krye të Lëvizjes Kombëtare për Çlirimin e Kosovës.

Ashtu sikur Gjoni nga Ferizaj dikur, tani Bahriu nga Llapi po qëndronte stoik përballë sfidave me të cilat po ballafaqohej Kosova! Ashtu sikur Gjoni që ishte i penës e i pushkës, i tillë ishte edhe Bahriu dhe lëvizja ilegale që ai drejtonte, në konspiracion të thellë, deri në rënien e tij heroike në altarin e atdheut, më 1998.

Gjoni, Bahriu… e të tjerë si këta dëshmuan se asgjë nuk kishte më shumë vlerë për ta sesa liria dhe mirëqenia e kombit dhe e atdheut.

I përjetshëm qoftë kujtimi për ta! Jeta dhe vepra e tyre patriotike u bëftë shembull për të gjitha gjeneratat!

Kontrolloni gjithashtu

Ali Hertica

Mr.Ali Hertica: Oligarkia, vezokracia, plutokracia, kleptokracia dhe autokracia

Gjatë këtyre ditëve të fundit, klasa drejtuese shqiptare etiketohet shpesh në gazeta me terma jo …