Gazmend Syla paralajmëron protesta nëse krerët e UÇK-së dënohen në Hagë

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së po përgatitet për protesta dhe aktivitete të tjera kundërshtuese në rast se ish-krerët e UÇK-së shpallen fajtorë nga Dhomat e Specializuara në Hagë. Nënkryetari i OVL-UÇK-së, Gazmend Syla, ka thënë se organizata pret që Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi të shpallen të pafajshëm. Megjithatë, ai paralajmëroi se veteranët do të vazhdojnë aktivitetet e tyre edhe në rast të një verdikti dënues. Syla tha se, sipas vlerësimit të organizatës, nëse vendimi mbështetet vetëm në prova, ish-krerët e UÇK-së duhet të lirohen. Ai shprehu shqetësim për mundësinë e ndikimeve politike në procesin gjyqësor. OVL-UÇK ka kundërshtuar vazhdimisht mënyrën e zhvillimit të procesit në Hagë, duke pretenduar se të akuzuarve u janë cenuar të drejtat procedurale. Syla kritikoi edhe institucionet e Kosovës, të cilat, sipas tij, nuk kanë bërë mjaftueshëm për mbështetjen e ish-krerëve të UÇK-së. Organizata ka zhvilluar protesta dhe aktivitete në Kosovë dhe jashtë saj, përfshirë Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Hagën dhe Strasburgun. Një tjetër protestë është paralajmëruar për 12 shtator, ndërsa në ditën e shpalljes së aktgjykimit pritet që qytetarë të mblidhen para objektit të Dhomave të Specializuara në Hagë. Ndërkohë, ish-kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka vizituar OVL-UÇK-në dhe ka deklaruar se pret kthimin e ish-krerëve në Kosovë. Edhe shoqatat e familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të UÇK-së kanë paralajmëruar një konferencë për media lidhur me planet e tyre për ditën e verdiktit. Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi ndodhen në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Ata përballen me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të lidhura me periudhën e luftës në Kosovë dhe janë deklaruar të pafajshëm. Aktgjykimi përfundimtar pritet të shpallet më 16 shtator 2026, në orën 10:00.

Kontrolloni gjithashtu

Time Kadriaj: Aleanca nuk kërkon pushtet, presim garanci konkrete nga Kurti

Deputetja e Aleancës Time Kadriaj, ka deklaruar se qëndrimet e AAK-së në zhvillimet e fundit …