Sylë Ukshini: Ideologjia serbomadhe nuk është zhdukur me përfundimin e regjimit të Slobodan Millosheviqit

Historiani dhe diplomati Sylë Ukshini ka vlerësuar se ideologjia serbomadhe e artikuluar në Memorandumin e Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve (SAN në vitin 1986 nuk është zhdukur me përfundimin e regjimit të Slobodan Millosheviqit, por ka vazhduar të shfaqet në forma të reja politike, përfshirë konceptin e sotëm të “botës serbe”. Ai e ka paraqitur këtë tezë gjatë një tryeze shkencore të organizuar nga Instituti për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë (IKKL) dhe Instituti i Historisë “Ali Hadri”, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, ku ka mbajtur kumtesën me titull “Nga Memorandumi i SANU-së te ‘bota serbe’: vazhdimësia e projektit serbomadh”. Në kumtesën e tij, Ukshini është fokusuar në vazhdimësinë e doktrinës ideologjike serbomadhe, duke e analizuar zhvillimin e saj nga Memorandumi i SANU-së i vitit 1986 deri te koncepti politik i “botës serbe”, si dhe mënyrën se si kjo doktrinë është përshtatur me rrethanat e reja politike. Sipas tij, përfundimi i regjimit të Millosheviqit nuk nënkuptoi edhe zhdukjen e narrativave dhe ideve që kishin ushqyer politikën e tij. Ukshini ka argumentuar se një pjesë e kësaj doktrine ka mbijetuar dhe vazhdon të shfaqet në forma të reja politike, duke e bërë të rëndësishme analizën e lidhjeve ndërmjet ideologjisë së së kaluarës dhe zhvillimeve politike të sotme. Ai ka theksuar se një analizë e tillë është e rëndësishme për të kuptuar më mirë lidhjen ndërmjet Memorandumit të SANU-së, luftërave të viteve ’90 dhe zhvillimeve politike në rajon në ditët e sotme.

Kontrolloni gjithashtu

Sami Lushtaku: Flaka e lirisë le të jetë edhe flakë e shpresës për drejtësi

Sami Lushtaku: Flaka e lirisë le të jetë edhe flakë e shpresës për drejtësi

Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, përmes një postimi në Facebook, ka njoftuar se, tek Shtabi …