Fitim Selimi: Bota e civilizuar që i bashkoi armët me UÇK-në i ka të njohura mirë argumentet që e dëshmojnë të vërtetën tonë

Fitim Selimi: LIRIA KA EMËR!

Të dashur bashkëkombës,
Gjithë jetën time, në rrethana e forma të ndryshme të organizimit, jam përpjekur t’i dal zot popullit dhe vendit tim.
Kam qenë pjesë e veprimtarisë kombëtare dhe, kur erdhi koha e përballjes së madhe, u bëra pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Për mua, UÇK-ja përfaqëson kulmin e përpjekjes sonë për liri — çastin kur një popull i shtypur mori përgjegjësinë për fatin e vet dhe kërkoi të jetonte i lirë në tokën e tij.
Ishim të vetëdijshëm se vetëm nuk mund ta përfundonim këtë rrugë. Prandaj kërkuam dhe ndërtuam bashkëpunimin me botën demokratike dhe me aleatët tanë.
Sakrifica jonë dhe mbështetja ndërkombëtare u takuan në një qëllim: çlirimin e Kosovës dhe përfundimin e sundimit të Serbisë mbi të.
Sot më dhemb kur shoh se ajo periudhë e historisë sonë relativizohet, shtrembërohet apo përdoret për përçarje politike. Edhe më rëndë është kur fyhen njerëzit që bartën mbi supe përgjegjësi të jashtëzakonshme në kohën më të vështirë të vendit.
Drejtësia duhet ta bëjë punën e saj dhe secili individ ka të drejtën e një procesi të drejtë.
Por njëkohësisht, ne kemi të drejtë dhe detyrim moral ta mbrojmë të vërtetën historike të luftës sonë çlirimtare dhe dinjitetin e sakrificës së një populli.
Prandaj më 12 Shtator do të jem në MARSHIN PËR LIRI!
Do të jem aty jo kundër drejtësisë, por për drejtësi.
Jo për ta gjykuar gjykatën, por për të thënë se historia e UÇK-së nuk mund të reduktohet në një aktakuzë dhe se lufta për çlirimin e Kosovës i përket kujtesës dhe ndërgjegjes së një populli të tërë.
Do të jem aty për bashkëluftëtarët tanë që sot ndodhen në Hagë.
Do të jem aty për shokët që nuk u kthyen kurrë nga lufta.
Për familjet që dhanë më të dashurit e tyre.
Për të burgosurit, të përndjekurit, të plagosurit dhe të gjithë ata që sakrifikuan që ne sot të jetojmë të lirë.
Dhe do të jem aty edhe për brezat që vijnë, që ata ta dinë se liria që gëzojnë nuk na është dhuruar — ajo ka histori, ka sakrificë, ka gjak dhe ka emër.
Prandaj ju ftoj:
Ejani në marsh!
Ejani pa dallime partiake, krahinore apo bindjesh të tjera.
Ejani si qytetarë të një vendi që nuk harron rrugën e vet drejt lirisë.
Sepse mund të kemi mendime të ndryshme për politikën e sotme, por nuk duhet ta humbim kujtesën për atë që na bashkoi kur Kosova kishte më së shumti nevojë për ne.
Liri për çlirimtarët.
UÇK-ja është pjesë e historisë sonë.
Sakrifica është pjesë e ndërgjegjes sonë.
Liria është e përbashkëta jonë.
LIRIA KA EMËR!

Kontrolloni gjithashtu

Prof.dr. Sabile Keçmezi-Basha: NJË LIBËR ME DËSHMI TË SHUMTA INDIVIDUALE DHE VLERA SHKENCORE

Prof.dr. Sabile Keçmezi – Basha: LIRIA NUK GJYKOHET- UÇK-JA, KOSOVA DHE ORA E PRITJES

Rastisa një ditë të udhëtoja me bashkëshortin tim- Tefikun, drejt Dardanës (Kamenicës) dhe, pothuajse gjatë …