RKL: I nderuar Sejdi Elezi, përpara se të bëheshit luftëtar, i burgosur politik, pjesëtar i UÇK-së, TMK-së e FSK-së dhe sot përfaqësues i veteranëve, ishit fëmijë që jetonit në fshatin Karaçicë. Çfarë kujtimesh ruani nga fëmijëria dhe cila ishte ajo atmosferë familjare që ju formoi si njeri dhe si atdhetar?
Sejdi Elezi: Po, jam i lindur më 1 shkurt 1964, në fshatin Karaçicë, një fshat në rrafshnaltën e Drenicës së Epërme. Fëmijërinë time e kam kaluar në një familje dhe në një mjedis ku kujtesa për të kaluarën, sakrificën dhe padrejtësitë e pushtetit të atëhershëm jugosllav ishte pjesë e jetës së përditshme.
Rrjedh nga një familje e diferencuar dhe e përndjekur nga pushteti i atëhershëm. Gjyshi im, Sejdi Ramë Kelmendi, ishte vrarë në vjeshtën e vonë të vitit 1944, si nacionalist. Por, për familjen tonë, ai nuk ishte vetëm gjyshi që na e kishte marrë lufta dhe koha e trazirave. Ai ishte një figurë e rëndësishme e jetës së asaj ane. Gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore, nga viti 1939 deri më 1944, ai kishte shërbyer si kryeplak i fshatrave të Drenicës së Epërme, në kohën kur komuna ishte në Sedllar (Shalë), ndërsa kryetar i komunës ishte Banush Hoxha, i njohur në popull si Banush Sedllari.
Këto të dhëna dhe kujtimet për gjyshin tim përcilleshin në familje brez pas brezi. Vrasja e tij dhe ajo që kishte përjetuar familja jonë nuk ishin thjesht pjesë e historisë së shkruar; ato ishin pjesë e kujtesës sonë familjare. Që i vogël, përmes rrëfimeve të familjarëve, kuptoja se çfarë do të thoshte të jetosh në një kohë kur bindjet politike, përkatësia kombëtare dhe qëndrimi ndaj pushtetit mund të sillnin pasoja të rënda për një familje.
Në atë atmosferë u rrita duke kuptuar se liria, dinjiteti dhe e drejta nuk janë dhurata, por vlera për të cilat duhet të jesh i gatshëm të sakrifikosh.
Fëmijëria ime ishte e thjeshtë, siç ishte jeta në atë kohë në shumë fshatra të Drenicës. Por ishte një fëmijëri e pasur me lidhje familjare, me respekt për më të moshuarit, me dashurinë për vendlindjen dhe me ndjenjën e fortë të përkatësisë. Në familje mësoja se nderi i familjes ruhet me punë, me fjalë të mbajtur dhe me qëndrim dinjitoz përballë çdo vështirësie.
Një kujtim të veçantë nga fëmijëria e ruaj nga viti 1970, kur në fshatin tonë u hap për herë të parë shkolla katërvjeçare. Unë pata fatin të jem pjesë e gjeneratës së parë të nxënësve të asaj shkolle. Për ne fëmijët, hapja e shkollës ishte një ngjarje e madhe. Ishte më shumë se një ndërtesë ku mësonim shkrim e lexim; ishte një dritare drejt dijes, një shpresë dhe një hap përpara për gjithë fshatin.
Me shumë kënaqësi e ruaj kujtimin e mësuesit tim të parë. Ishte një mësues patriot dhe arsimdashës, i cili, përveç njohurive, na përcillte dashurinë për dijen, gjuhën dhe vendin tonë. Sot, kur e shikoj jetën time në retrospektivë, e kuptoj edhe më mirë se sa shumë ndikim kanë pasur njerëzit dhe rrethanat e fëmijërisë në formimin tim.
Besoj se njeriu nuk formohet vetëm nga ajo që mëson në libra, por edhe nga ajo që sheh, dëgjon dhe përjeton në familje e në shoqëri. Kujtesa e gjyshit tim, historia e familjes, jeta në Karaçicë, shkolla e parë dhe mësuesi im i parë, të gjitha këto kanë lënë gjurmë në karakterin tim.
Ndoshta pikërisht aty, në atë fëmijëri të hershme, kanë nisur të formohen edhe ato bindje që më vonë do të më përcillnin gjatë gjithë jetës: dashuria për atdheun, respekti për lirinë dhe bindja se ndaj padrejtësisë nuk duhet të heshtet.
Rrugëtimi im i mëvonshëm – nga i riu që u rrit në Karaçicë, te i burgosuri politik, luftëtari i UÇK-së, pjesëtari i TMK-së e FSK-së dhe, sot, përfaqësues i veteranëve – është i lidhur ngushtë me ato vlera që i mora në familje dhe në vendlindje që në fëmijëri.
Nëse do ta përmbledhja me pak fjalë atë që mora nga fëmijëria ime, do të thosha: kujtesën për të kaluarën, dashurinë për familjen dhe vendlindjen, respektin për dijen dhe bindjen se liria dhe dinjiteti kanë një çmim. Këto vlera më kanë shoqëruar gjatë gjithë jetës.
RKL: Ju vini nga familja Kelmendi e Karaçicës, një familje e përmendur në historinë e qëndresës shqiptare. Sa ndikoi historia e familjes suaj, veçanërisht figura e gjyshit tuaj Sejdi Ramë Kelmendi, në formimin e bindjeve tuaja që në moshë të re?
Sejdi Elezi: Familja Kelmendi e fshatit Karaçicë, e posaçërisht familja e Ramë Salihit (Kelmendit), edhe pse në rrethanat e atëhershme ishte e “lëçitur” dhe e përndjekur nga pushteti, gëzonte respekt të veçantë në fshat dhe në rrethinë. Historia e familjes sime dhe, në veçanti, figura e gjyshit tim, Sejdi Ramë Kelmendit, ka ndikuar shumë në formimin tim që në moshë të hershme.
Pas përfundimit të klasës së katërt në shkollën e fshatit, ne ishim të detyruar që mësimet t’i vazhdonim në shkollën amë “Idriz Ajeti” në Pjetërshticë. Për mua, ato vite kanë mbetur me kujtime të veçanta, jo vetëm për shkollën dhe shoqërinë, por edhe për mënyrën se si më pritnin njerëzit e moshuar të atij fshati.
Shpesh, kur më takonin dhe më pyesnin: “I kujt je?”, pasi u tregoja se isha nipi i Sejdi Ramë Kelmendit, dëgjoja fjalë miradije për gjyshin tim. Ata e kishin njohur dhe e kujtonin atë për qëndrimin dhe veprat e tij. Për një fëmijë, të dëgjojë njerëzit e moshuar duke folur me respekt për gjyshin e tij ishte një ndjenjë e veçantë. Unë ndihesha krenar dhe, njëkohësisht, ndieja një lloj përgjegjësie për emrin dhe trashëgiminë që mbaja.
Pra, jam rritur me ndjenjën e krenarisë për gjyshin tim dhe për familjen nga e cila vij. Edhe pse atëherë isha i vogël dhe nuk mund ta kuptoja në tërësi peshën e historisë së familjes sime, me kalimin e viteve e kuptova gjithnjë e më shumë se çfarë kishte përfaqësuar qëndresa e tyre dhe pse familja jonë ishte përndjekur nga pushteti.
Mendoj se këtu duhet kërkuar edhe një pjesë e rrënjëve të bindjeve të mia të mëvonshme. Historia familjare nuk më është imponuar me fjalë të mëdha; ajo më është përcjellë përmes kujtimeve, rrëfimeve të të moshuarve dhe respektit që ata kishin për gjyshin tim. Kjo më mësoi që emri i familjes nuk është vetëm trashëgimi, por edhe përgjegjësi. Nëse paraardhësit e tu kanë qëndruar përballë padrejtësisë, atëherë edhe ti duhet të përpiqesh ta ruash atë dinjitet.
Kështu, krenaria për gjyshin tim Sejdi Ramë Kelmendi, kujtimi i familjes dhe rrëfimet që dëgjoja gjatë fëmijërisë u bënë pjesë e formimit tim dhe, në një mënyrë a në një tjetër, më shoqëruan gjatë gjithë rrugëtimit tim jetësor.
RKL: Kur e kuptuat për herë të parë se të qenit shqiptar në Kosovën e atëhershme nuk ishte vetëm një identitet, por edhe një betejë për të drejta, dinjitet dhe liri? A mund ta kujtoni momentin kur në mendjen e një të riu lindi ideja e rezistencës?
Sejdi Elezi: Mendoj se për gjeneratën time, kjo vetëdije nuk lindi në një moment të vetëm. Ajo u formua gradualisht, përmes familjes, shkollës, leximit dhe asaj që arrinim të mësonim e të dëgjonim përtej kufijve të Kosovës.
Ne patëm fatin që mësuesi im i parë, Sahit Salihu, përveçse na mësoi shkrim e lexim, ishte edhe një njeri shumë i përkushtuar ndaj dijes. Ai kishte një bibliotekë mjaft të pasur, të cilën e mbante në ambientet e shkollës, dhe vazhdimisht na nxiste të lexonim. Kjo tek unë mbolli dashurinë dhe dëshirën për të lexuar. Përmes librave fillova ta kuptoj më mirë historinë, gjuhën, kulturën dhe identitetin tonë kombëtar.
Në anën tjetër, edhe pse në fshatin tonë kishte pengesa dhe rreziqe, ne arrinim të ndiqnim Radio Kukësin, Radio Tiranën dhe televizionin shqiptar. Për ne, këto nuk ishin thjesht mjete informimi. Ishin një dritare përmes së cilës shikonim një pjesë të realitetit shqiptar përtej kufirit. Dëgjonim gjuhën shqipe, ndiqnim programe kulturore e historike dhe, natyrisht, kjo ndikonte në formimin e ndjenjës sonë të atdhedashurisë.
Të gjitha këto i koordinonim me edukimin që merrnim në familje. Aty mësonim të respektonim gjuhën, historinë, traditën dhe identitetin tonë. Pra, ajo që mësoja në familje, ajo që lexoja në libra dhe ajo që dëgjoja përmes Radio Kukësit, Radio Tiranës apo televizionit shqiptar plotësonin njëra-tjetrën.
Me kalimin e viteve, fillova ta kuptoj se të qenit shqiptar në Kosovë nuk ishte vetëm një përkatësi që e trashëgon nga familja. Ishte edhe një identitet që duhej ta ruaje e ta mbroje, sidomos në rrethana kur të drejtat dhe dinjiteti i popullit shqiptar cenoheshin.
Në këtë kuptim, ideja e rezistencës tek unë nuk lindi papritur. Ajo u mboll herët, në bankat e shkollës, përmes librave, nga rrëfimet familjare dhe nga ajo frymë që merrnim përmes kontakteve me Shqipërinë. Më vonë, jeta dhe rrethanat politike e shoqërore do ta forconin edhe më shumë këtë bindje.
Sot, kur e shikoj atë periudhë nga distanca e viteve, mendoj se mësuesi im i parë, Sahit Salihu, kishte një rol shumë më të madh në formimin tim sesa mund ta kuptoja atëherë. Ai nuk na mësoi vetëm të lexonim fjalët; na mësoi, në njëfarë mënyre, të kërkonim kuptimin e tyre. Dhe përmes leximit filluam të kuptonim edhe më mirë se kush ishim dhe çfarë të drejtash na takonin.
RKL: Vitet ’80 ju gjetën të përfshirë në veprimtari atdhetare dhe më pas përfunduat në burgjet e regjimit jugosllav. Çfarë ndodhi konkretisht që ju çoi në burg dhe sa vite të jetës suaj u morën nga qelitë e atij sistemi?
Sejdi Elezi: Pas përfundimit të shkollës fillore, dëshira ime për të vazhduar shkollimin e mesëm ishte shumë e madhe. Problemi ishte se nga fshati im, Karaçicë, qendrat ku ndodheshin shkollat e mesme ishin mjaft larg. Për mua, vazhdimi i shkollimit nuk ishte thjesht një dëshirë, por një synim që doja ta realizoja me çdo kusht.
Në këtë drejtim më ndihmoi shumë burri i tezes, Nezir Sedolli. Duke parë dëshirën time për t’u shkolluar, ai më ofroi mundësinë që të banoja në shtëpinë e tyre në fshatin Talinoc të Muhaxherëve, prej nga mund ta vazhdoja shkollimin e mesëm në Ferizaj.
Neziri kishte punuar për një kohë në Çekosllovakinë e atëhershme. Gjatë qëndrimit atje kishte pasur mundësi të vizitonte Ambasadën Shqiptare në Pragë dhe prej aty kishte siguruar materiale të ndryshme që në atë kohë ishin të ndaluara në Kosovë.
Kështu, kontakti im i parë me literaturën klandestine, me materiale që nuk mund të gjendeshin lirshëm në Kosovë, ishte pikërisht përmes burrit të tezes, Nezir Sedollit.
Për një të ri që ishte rritur me dashurinë për librin dhe me një edukim familjar që e kishte kultivuar ndjenjën e atdhedashurisë, këto materiale kishin një ndikim të madh. Ato më hapën një horizont tjetër dhe më bënë të mendoj më thellë për gjendjen e shqiptarëve në Kosovë, për historinë tonë dhe për të drejtat që na mohoheshin.
Pra, angazhimi im nuk lindi rastësisht dhe as nuk ishte një vendim i marrë brenda natës. Ishte një proces që kishte filluar shumë më herët, që nga familja, nga mësuesi im i parë dhe nga librat që lexoja. Kontakti me literaturën e ndaluar e thelloi edhe më shumë këtë vetëdije dhe më afroi me rrethet e veprimtarisë atdhetare.
Në vitet ’80, në Kosovë, të shprehje hapur bindje që binin ndesh me politikën e regjimit jugosllav mund të kishte pasoja të rënda. Edhe unë, si shumë të rinj të asaj kohe që nuk pajtoheshin me gjendjen ekzistuese, u përfshiva në veprimtari atdhetare dhe, për këtë arsye, u përballa me aparatin represiv të regjimit.
Përfundimi ishte burgu.
Qelitë e atij sistemi më morën një pjesë të rëndësishme të rinisë dhe të jetës sime. Por, tri viteve të kaluara në burg, nuk e kam konsideruar asnjëherë atë periudhë si kohë të humbur. Ajo ishte një sakrificë që i takonte një brezi i cili, në rrethana shumë të vështira, kërkonte të drejtat, dinjitetin dhe lirinë e popullit të vet.
Burgu ma mori lirinë fizike, por nuk ma mori bindjen. Përkundrazi, përvojat e asaj kohe vetëm sa e forcuan edhe më shumë bindjen time se liria dhe dinjiteti nuk mund të fitohen pa sakrificë.
RKL: Me kë e ndatë atë periudhë të ilegalitetit? Cilët ishin njerëzit me të cilët bashkëpunonit, si funksiononte rrjeti i veprimtarisë ilegale dhe sa rrezikohej një familje kur njëri prej anëtarëve angazhohej në atë rrugë?
Sejdi Elezi: Demonstratat e vitit 1981 më gjetën nxënës në shkollën e mesme. Në Ferizaj, më 3 prill 1981, u organizua një demonstratë masive, në të cilën mora pjesë aktive së bashku me shumë shokë të gjeneratës sime. Ajo periudhë shënoi një kthesë të rëndësishme për shumë të rinj shqiptarë, sepse na bëri të kuptonim edhe më qartë se kërkesat për të drejta kombëtare dhe shoqërore do të përballeshin me një represion të ashpër.
Pas përfundimit të shkollës së mesme, u regjistrova në Shkollën e Lartë, në drejtimin e makinerisë, po në Ferizaj. Aty u zgjerua edhe rrethi im shoqëror, pasi në atë qytet kishin ardhur për të studiuar edhe të rinj nga komuna të tjera të Kosovës. Në mesin e njerëzve me të cilët u njoha dhe me të cilët shkëmbenim materiale propagandistike të kohës ishin Vebi dhe Demë Fetahaj nga Raushiqi i Pejës. Familja Fetahaj ishte e njohur për veprimtari atdhetare dhe për qëndrimin e saj të palëkundur në mbrojtje të çështjes kombëtare.
Bashkëpunova edhe me Bajram Sedollin, Minire Ramadanin, Haki Qatanin dhe të tjerë. Këto lidhje krijoheshin kryesisht përmes besimit, njohjeve të përbashkëta dhe bindjeve që na bashkonin. Në atë kohë, veprimtaria ilegale nuk mund të zhvillohej hapur. Ajo mbështetej në kontakte të kujdesshme, në takime të kufizuara dhe në shpërndarjen e materialeve që përcillnin mesazhe për liri, barazi dhe të drejta kombëtare.
Ilegaliteti kërkonte shumë kujdes, sepse çdo pakujdesi mund të sillte pasoja të rënda. Nuk rrezikohej vetëm personi që angazhohej në atë veprimtari. Rrezikohej e gjithë familja. Përveç burgosjes, marrjeve në pyetje dhe përndjekjes, familjet përballeshin edhe me forma të tjera presioni, si “lëçitja”, bojkotimi shoqëror dhe ndjekja nga organet e sigurimit.
Një familje mund të izolohej nga rrethi shoqëror, të pengohej në punësim, të përballej me presione në shkollim dhe të mbahej vazhdimisht nën vëzhgim. Regjimi përpiqej ta ndëshkonte jo vetëm individin, por edhe familjen e tij, me qëllim që të krijonte frikë dhe të pengonte të tjerët të ndiqnin të njëjtën rrugë.
Megjithatë, familjet tona e dinin se çfarë rrezikonim dhe, në shumë raste, na qëndronin pranë. Edhe pse jetonin nën presion të vazhdueshëm, ato e kuptonin se kjo veprimtari nuk bëhej për interesa personale, por për një ideal më të madh. Pikërisht kjo mbështetje familjare na jepte forcë për të vazhduar.
Prandaj, ajo periudhë nuk ishte vetëm një përvojë e individëve që vepronin në ilegalitet. Ishte një barrë dhe një sakrificë e përbashkët e familjeve, e cila shpesh paguhej me frikë, izolim, përndjekje dhe humbje të shumta. Megjithatë, përkundër rrezikut, ne besonim se heshtja do të ishte një dorëzim, ndërsa angazhimi ishte mënyra e vetme për ta mbajtur gjallë kërkesën për liri dhe dinjitet kombëtar.
RKL: Burgu nuk është vetëm një dënim fizik; është edhe një provë psikologjike. Cili ishte momenti më i rëndë që përjetuat në burg dhe cili ishte ai mendim, ai njeri apo ajo bindje që ju mbajti të pathyeshëm?
Sejdi Elezi: Kur u arrestova, isha vetëm 20 vjeç. Frika më e madhe ishte nëse do të mund t’u bëja ballë presioneve dhe dhunës fizike të inspektorëve të Sigurimit Shtetëror.
Por gjatë gjithë hetimeve dhe qëndrimit në burg më ka përcjellë një amanet i kushëririt tim, Salih Elezi. Ai më kishte thënë: “Paskan me të arrestu, ke kujdes, mos të ndodhë me u dënu, me dalë prej burgut e me ta drejtu gishtin dikush prej shokëve e me thanë: Sejdiu na mori në qafë.”
Kjo porosi më ka qëndruar gjithmonë në mendje. Më jepte forcë të mos mendoja vetëm për veten, por edhe për shokët e mi. E dija se çdo fjalë e thënë nën presion mund të kishte pasoja për të tjerët.
Sigurisht, kam pasur frikë, sepse isha i ri. Por bindja se isha duke vuajtur për një ideal dhe për lirinë e popullit tim më ndihmoi ta përballoja atë periudhë. Burgu ma mori lirinë fizike, por nuk ma mori bindjen.
RKL: Pas daljes nga burgu, a u ndjetë më i lirë apo regjimi vazhdonte t’ju ndiqte dhe t’ju mbante nën vëzhgim? Si vazhdoi veprimtaria juaj atdhetare pas lirimit?
Sejdi Elezi: Para se të flas për jetën pas burgut, dua të përmend shkurtimisht qëndrimin tim atje. Në burgun hetues në Prishtinë qëndrova gjashtë muaj, ndërsa në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë u dënova me tri vjet burg. Pas gjashtë muajsh u transferova në burgun famëkeq të Nishit.
Siç thotë ajo fjala: “Fati në fatkeqësi.” Aty pata fatin të takohem me njerëz që i kisha idol, me qëndrestarë dhe patriotë të përmasave kombëtare. Qëndrova edhe në një dhomë me Hysen Gegën, si dhe me Sejdi Veselin e Berat Luzhën. Ishin njerëz që, me qëndrimin dhe sakrificën e tyre, më dhanë edhe më shumë forcë.
Pas përfundimit të dënimit prej tri vitesh, erdhi dita e lirimit. Por, siç e kam thënë edhe atëherë: dola nga një burg i vogël në një burg edhe më të madh – në burgun e popullit tim.
Dola nga burgu si një djalosh më i pjekur, por edhe më i brumosur me ndjenjën e atdhedashurisë. Përvoja e burgut nuk më bëri të tërhiqem; përkundrazi, ma forcoi bindjen se duhej ta vazhdoja veprimtarinë dhe angazhimin tim atdhetar. Regjimi vazhdonte të na mbante nën vëzhgim, por frika tashmë nuk mund të më kthente prapa. E dija se rruga ime duhej të vazhdonte.
RKL: Pastaj erdhi UÇK-ja. Ju nuk u bashkuat me luftën si një i ri që po e provonte fatin, por si një njeri që kishte kaluar burgun dhe ilegalitetin. Kur dhe ku e morët vendimin përfundimtar se tani kishte ardhur koha të merreshin armët?
Sejdi Elezi: Pothuajse të gjithë të burgosurit politikë nuk pritën që lufta t’u trokiste në derë, sepse ishin të vetëdijshëm se, për një popull të robëruar që synon lirinë, lufta nuk ishte imponim, por domosdoshmëri. Kështu, krijova lidhje me njerëz që ishin të gatshëm t’i rroknin armët dhe të luftonin për liri.
RKL: Gjatë luftës jeni përmendur në njësitet që vepronin në Karaçicë, Krojmir dhe në zonën e Carralevës, bashkë me luftëtarë si Shaip Kelmendi e të tjerë. Cila është ajo ditë, betejë apo situatë e luftës që edhe sot, pas kaq vitesh, ju zgjon natën dhe ju kthen në ato male?
Sejdi Elezi: Përveç fshatrave që përmendët, fillimisht isha i rreshtuar në Javor dhe në Luzhnicë, nën komandën e Ismet Jashari-Kumanovës. Në fillim, numri i ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte ende një shifror. Më pas, nga fshati Karaçicë, radhëve të UÇK-së iu bashkuan shumë djem e vajza, ndër ta Shaip Kelmendi, invalid lufte; Xhavit Kelmendi, dëshmor; Sadri Krasniqi, invalid lufte; vëllezërit Tahir dhe Halil Krasniqi; Enver Krasniqi, invalid lufte; Naser Kelmendi, dëshmor, Fidaije Kelmendi e të tjerë.
Ajo që më ka lënë mbresa të pashlyeshme është guximi dhe vendosmëria e tyre për të luftuar dhe për të qëndruar deri në frymën e fundit. Secili prej tyre mbartte një histori sakrifice, por të gjithë i bashkonte i njëjti ideal: liria e Kosovës.
Kujtime të veçanta ruaj për komandant Ismet Jashari-Kumanovën. Ai ishte një komandant i guximshëm, i vendosur dhe i përkushtuar, që frymëzonte besim te bashkëluftëtarët. Prania e tij në ato ditë të vështira na jepte forcë dhe na bënte të qëndronim të palëkundur përballë rrezikut.
RKL: Karaçica, dhe Gryka e Krojmirit nuk janë vetëm emra në hartë; aty u zhvilluan beteja dhe aty u mbrojt edhe popullata civile. Çfarë kujtoni nga ato ditë kur duhej njëkohësisht të luftonit, të mbronit civilët dhe të përballonit një ushtri shumë më të armatosur?
Sejdi Elezi: Të luftoje kundër një force krejtësisht të pabarabartë nuk ishte e lehtë. Megjithatë, ne ishim të brumosur me një moral të fortë dhe e dinim qartë pse po luftonim. Armikut i mungonte ky moral, sepse nuk luftonte për një ideal, por për të mbajtur nën pushtim një popull.
Popullata civile në gryka dhe male ishte një barrë e madhe, por mbi të gjitha një përgjegjësi e shenjtë për ne. Duhej të luftonim, por njëkohësisht të kujdeseshim për gratë, fëmijët, të moshuarit dhe të gjithë civilët që ndodheshin në ato zona. E dinim se pushtuesi serb hakmerrej ndaj popullatës civile sa herë që haste në rezistencë. Prandaj, çdo vendim duhej marrë me shumë kujdes, duke pasur parasysh jo vetëm përballje me armikun, por edhe mbrojtjen e njerëzve të pafajshëm.
RKL: Në luftë ju ranë bashkëluftëtarë dhe njerëz që i njihnit nga afër. Si e përjetuat ato, a ka ndonjë emër që ende sot nuk mund ta përmendni pa ju dridhur zëri?
Sejdi Elezi: Në luftë kam njohur nga afër pesë heronj: Ismet Jasharin-Kumanova, Nuhi Mazrekun, Afrim Buqajn, Habib Zogajn dhe Gani Kastratin. Po ashtu, kam njohur dëshmorët Xhavit dhe Naser Kelmendi, Azem Kastratin e shumë të tjerë. Për secilin prej tyre ruaj kujtime të veçanta.
Por, nëse duhet të veçoj dikë, atëherë është komandant Ismet Jashari-Komandant Kumanova. Ishte një njeri i veçantë, një komandant që me guximin, qetësinë dhe përkushtimin e tij na jepte forcë.
Kujtim të veçantë kam edhe për Xhavit Kelmendin, i cili, falë aftësive të tij fizike, përkushtimit dhe përvojës në betejat e mëparshme, ishte angazhuar në njësinë speciale pranë Shtabit të Përgjithshëm.
Edhe Naser Kelmendi më kujtohet me shumë dhimbje. Me plot vullnet mori rrugën për në Shqipëri, për t’u armatosur dhe për t’u sjellë armatim edhe shokëve. Më 14 dhjetor 1998, në Gorozhup të Hasit, ra në pritë të forcave armike së bashku me komandant Mujë Krasniqin dhe shumë bashkëluftëtarë të tjerë.
Kur i kujtoj sot, ndjej dhimbje, por mbi të gjitha krenari. Ata nuk ranë vetëm si individë; ranë duke i dhënë jetën idealit të lirisë. Dhe emrat e tyre mbeten pjesë e kujtesës sime dhe e historisë sonë.
RKL: Pas çlirimit, nga luftëtari i UÇK-së u shndërruat në pjesëtar të TMK-së dhe më pas të FSK-së. Si e përjetuat kalimin nga lufta guerile në ndërtimin e një strukture institucionale të sigurisë së Kosovës dhe çfarë mendoni se u fitua e çfarë u humb në atë tranzicion?
Sejdi Elezi: Kalimi nga UÇK-ja në TMK, e më pas në FSK, për mua ishte një ndryshim i madh, por edhe një vazhdimësi e misionit në rrethana të reja. Në luftë kishim marrë armët për ta çliruar vendin, ndërsa pas luftës duhej të kontribuonim në ndërtimin dhe forcimin e institucioneve të shtetit.
TMK-ja, ishte një urë e rëndësishme ndërmjet luftës dhe paqes. Ishte një mundësi që përvoja, disiplina dhe përkushtimi i ish-luftëtarëve të viheshin në shërbim të qytetarëve dhe të vendit. Më vonë, me krijimin e FSK-së, kjo përvojë u institucionalizua edhe më shumë.
Mendoj se fituam shumë: fituam mundësinë ta shndërrojmë sakrificën e luftës në institucione, në rend, përgjegjësi dhe shërbim ndaj shtetit. Por, në atë tranzicion, natyrisht se pati edhe dhimbje. U humb diçka nga ajo frymë e drejtpërdrejtë e bashkëluftëtarëve, ajo afërsi dhe solidaritet që e kishim në ditët e luftës.
Megjithatë, për mua më e rëndësishmja është se lufta nuk përfundoi me heshtjen e armëve; ajo duhej të vazhdonte përmes ndërtimit të shtetit. Dhe këtë e kemi konsideruar si detyrë dhe përgjegjësi ndaj atyre që ranë për lirinë e Kosovës.
RKL: Sot jeni në pension, por nuk jeni larguar nga kauza. Në krye të OVL-UÇK-së, në Therandë, cilat janë sfidat më të mëdha që i përballoni: statusi i veteranëve, kujtesa historike, familjet e dëshmorëve, trajtimi institucional apo përpjekjet për ta deformuar historinë e luftës?
Sejdi Elezi: Në aspektin personal, konsideroj se jam i përmbushur. Mendoj se jemi një gjeneratë me fat: e përjetuam robërinë, maltretimet, sakrificat dhe luftën, por në fund patëm fatin ta gëzojmë lirinë për të cilën u sakrifikua.
Sot, si kryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, dega Therandë, përballemi me shumë sfida. Njëra ndër më të dhimbshmet është mungesa e kujdesit të duhur institucional ndaj veteranëve dhe kategorive të dala nga lufta.
Por ajo që dhemb edhe më shumë është kur dëgjon individë që i fyejnë dhe i shajnë njerëzit që kanë dhënë kontribut për lirinë e këtij vendi. Kjo është e rëndë dhe e padrejtë.
Një sfidë tjetër është mungesa e një ligji të veçantë për mbrojtjen e vlerave të Luftës së UÇK-së dhe të kujtesës sonë historike. Ne nuk kërkojmë privilegje, por respekt, dinjitet dhe trajtim të drejtë institucional.
Duhet ta kemi parasysh edhe një realitet tjetër: kategoritë e dala nga lufta nuk po shtohen, përkundrazi, dita-ditës po zvogëlohen. Pjesa dërrmuese e veteranëve tashmë kanë hyrë në moshën e tretë dhe nevojat e tyre po shtohen, ndërsa mundësitë tona për t’u dalë në ndihmë janë të kufizuara.
Prandaj, detyra ime sot është që, sa të kem mundësi, të jem zëri i bashkëluftëtarëve të mi, të mbroj dinjitetin e tyre, të ruaj kujtesën e luftës dhe t’ua përcjell brezave të ardhshëm të vërtetën për sakrificën që u bë për lirinë e Kosovës.
RKL: Pas gjithë këtyre etapave, fëmijëri, ilegalitet, burg, UÇK, TMK, FSK dhe pension, nëse do ta kthenit jetën pas, a do ta zgjidhnit përsëri të njëjtën rrugë, me të gjitha sakrificat, burgun, frikën, humbjet dhe rrezikun që ajo solli?
Sejdi Elezi: Ndonjëherë rrethanat historike dhe shoqërore ta imponojnë edhe sjelljen dhe aktivitetin që duhet të zhvillosh. Kur e shikoj gjithë rrugëtimin tim, me sakrificat, burgun, frikën dhe humbjet, besoj se në shumicën e rasteve do të veproja njësoj.
Ndoshta, me përvojën që kam sot, do të isha më i kujdesshëm, por jo më pak i vendosur. Nuk do ta ndryshoja bindjen se liria, dinjiteti dhe e ardhmja e vendit ia vlejnë sakrificën.
Në fund të fundit, jam krenar për rrugën që kam ndjekur dhe për faktin se kam mundur të jap kontributin tim për vendin tim. Nëse do të duhej ta nisja përsëri, do ta bëja edhe një herë, por me kujdesin dhe përvojën që më kanë dhënë vitet.
RKL: Ju, keni kaluar jetën duke kërkuar lirinë. Sot, kur e shikoni Kosovën e lirë, çfarë ju bën krenar, çfarë ju dhemb dhe çfarë amaneti do t’ua linit brezave të rinj për ta ruajtur lirinë për të cilën një brez i tërë sakrifikoi?
Sejdi Elezi: Krenar më bën çdo gjë që kam mundur të bëj për të mirën e vendit tim. Më bën krenar fakti që, në mënyrën time, kam qenë pjesë e një brezi që nuk u pajtua me robërinë dhe që dha kontributin e vet për ta parë Kosovën të lirë.
Ajo që më dhemb më së shumti është kur nuk vlerësohet gjaku i derdhur, mundi dhe sakrifica e gjeneratave të tëra që punuan e u flijuan për të ardhur deri këtu. Liria që gëzojmë sot nuk erdhi vetvetiu dhe nuk duhet ta harrojmë kurrë çmimin e saj.
Ndërsa porosia ime për brezat që vijnë është e thjeshtë: Ruajeni lirinë që gëzoni sot! Për këtë liri është derdhur shumë gjak. Mos e merrni si të mirëqenë.
Punoni, arsimohuni, respektojeni njëri-tjetrin dhe mbi të gjitha, duajeni vendin tuaj. Sepse dashuria për atdheun nuk dëshmohet vetëm në kohë lufte; ajo dëshmohet çdo ditë, duke punuar me ndershmëri për një Kosovë më të mirë.
RKL: Nëse nesër do të hapej para jush dera e asaj qelie ku keni qenë i burgosur dhe përballë do t’ju dilnin të gjithë ata që dikur ju dënuan për idealin e lirisë, çfarë do t’u thoshit sot, si njeri që e pa Kosovën të çlirohej?”
Sejdi Elezi: Do t’u thosha vetëm kaq: “Gëzojeni edhe ju lirinë për të cilën unë sakrifikova rininë dhe një pjesë të jetës sime!”
Më vjen mirë që, në fund, doli se unë kisha të drejtë, ndërsa ju jo. E di që nuk është gjithmonë e lehtë ta pranosh kur faktet ta dëshmojnë të kundërtën, por kësaj here e vërteta ishte në anën time. Ndonjëherë është mirë të mos flitet me aq shumë bindje, kur koha mund ta nxjerrë shumë shpejt se kush kishte të drejtë e kush gaboi. Sepse sot, pas gjithë atyre viteve, nuk kam urrejtje. Kam vetëm një bindje: liria është më e madhe se çdo burg, ndërsa koha e dëshmoi se idealet për të cilat u sakrifikuam nuk mund të burgosen.
RKL: I nderuar, ju falënderojmë përzemërsisht që pranuat të bëheni pjesë e intervistave tona dhe që ndatë me ne kujtimet, përvojën dhe rrëfimin tuaj jetësor. Është nder të dëgjojmë nga afër historinë e një njeriu që ka kaluar nëpër burg, ilegalitet, luftë dhe shërbim institucional, duke i qëndruar besnik idealeve të lirisë. Faleminderit për besimin, për kohën dhe mbi të gjitha për rrëfimin tuaj, i cili meriton të ruhet si pjesë e kujtesës sonë kombëtare dhe t’u përcillet brezave të ardhshëm. Ju uroj shëndet, forcë dhe respekt të përhershëm për kontributin tuaj në rrugën e lirisë së Kosovës.
Intervisten e realizoi Arbana Qeriqi
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
