Ish-kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, ka ngritur shqetësime të forta për gjendjen aktuale politike dhe institucionale në Kosovë, duke vlerësuar se vendi ndodhet në një situatë më të rëndë edhe se ajo e periudhës së pasluftës. Daka ka thënë se Kosova ndodhet në një “rrugë pa kthim”, duke theksuar se as viti 1999, sipas saj, nuk ka qenë më i rëndë se situata në të cilën ndodhet vendi sot. “Lirisht mund të themi që Kosova është në një rrugë pa kthim. Në një situatë, në të cilën nuk ka qenë as pasluftës. As në vitin 1999 nuk ka qenë situata më e keqe. Është më keq”, ka deklaruar Daka. Sipas saj, një nga dallimet kryesore me periudhën e pasluftës është mbështetja ndërkombëtare që Kosova kishte në atë kohë, ndërsa sot, sipas Dakës, kjo përkrahje nuk është më në të njëjtin nivel. “Atëherë bile e kemi pasur mbështetjen e miqve tanë ndërkombëtarë, që kanë qenë sponsorë të këtij shteti. Tash duket që nuk e kemi më as përkrahjen e tyre”, është shprehur ajo. Daka e ka lidhur këtë situatë me krizën e zgjatur institucionale, duke thënë se për dy vite vendi është përballur me probleme të rënda në funksionimin e institucioneve. “Shteti është në kolaps, nuk kemi institucione, nuk kemi President. Nuk dihet se çka do të ndodhë nesër, apo pas datës 16 shtator”, ka deklaruar Daka.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
