Lideri politik i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti, ka thënë se edhe ai, sikurse shqiptarët që mbështesin ish-krerët e UÇK-së në Hagë, është në pritje me shqetësim të verdiktit përfundimtar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Duke folur për Klan Kosova, Ahmeti e ka lidhur procesin gjyqësor me pretendimet për të ashtuquajturën “Shtëpia e Verdhë”, duke thënë se këto pretendime u ngritën fillimisht përmes një materiali të ish-deputetit zviceran Dick Marty, të cilin ai e konsideron si pjesë të një fushate për denigrimin e UÇK-së. “Si të gjithë ata që janë përkrah çlirimtarëve që janë në ethe, edhe unë e ndjej veten tepër në ethe për një proces që ka filluar për një dokument mbi ‘Shtëpinë e Verdhë’, se gjoja UÇK-ja ka qenë ndërmarrje kriminale për tregtimin e organeve të njerëzve”, ka deklaruar Ahmeti. Ai ka pretenduar se pas këtyre akuzave qëndrojnë qarqe anti-shqiptare me burim në Beograd dhe Moskë, duke vlerësuar se qëllimi ka qenë dëmtimi i imazhit të UÇK-së dhe vënia në pikëpyetje e drejtësisë së luftës së saj për çlirimin e Kosovës. Ahmeti ka thënë se pret që verdikti përfundimtar të jetë i drejtë, duke theksuar se lufta e UÇK-së, sipas tij, ishte luftë për çlirimin e vendit dhe jo për kryerjen e veprave kundër njerëzimit. “Pres që të gjitha shtetet demokratike, SHBA-ja dhe shtetet e BE-së, të cilat kanë kaluar në procese çlirimtare dhe e dinë sakrificën për të arritur te liria, ta dinë se këto janë procese të vështira, të dhimbshme, me kosto të lartë të humbjes së jetëve të njerëzve”, ka thënë Ahmeti. Ai ka shtuar se pret që trupi gjykues të mos marrë, siç e cilësoi ai, një “vendim të keq”, pasi shqiptarët nuk e presin një përfundim të tillë. Sipas Ahmetit, ish-krerët e UÇK-së po akuzohen për vepra që, në vlerësimin e tij, nuk janë dëshmuar dhe se thelbi i veprimtarisë së tyre ka qenë lufta për çlirimin e vendit.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
