Anëtari i PDK-së, Përparim Gruda, ka kundërshtuar interpretimin se Kuvendi i Kosovës mund të konsiderohet i konstituuar pa u zgjedhur nënkryetari nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës. Gruda ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje nuk mund të përfitojë nga shkelja e afateve dhe, mbi këtë bazë, t’ia mohojë PDK-së një të drejtë që buron nga Kushtetuta. Duke iu referuar aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese në rastet KO124/25, KO193/25, KO196/25 dhe KO265/25, ai ka argumentuar se Kuvendi nuk mund të konsiderohet i konstituuar pa u zgjedhur të gjithë nënkryetarët. Sipas Grudës, PDK-ja nuk ka hequr dorë nga e drejta për të propozuar nënkryetarin e saj, por ka vendosur të mos e ushtrojë përkohësisht këtë të drejtë, derisa Gjykata Kushtetuese të sqarojë situatën e krijuar. Ai ka theksuar se kjo nuk mund të barazohet me heqjen dorë nga një e drejtë kushtetuese. Gruda ka përmendur edhe afatet për konstituimin e Kuvendit, duke thënë se afati kushtetues ka përfunduar më 7 gusht, ndërsa Vetëvendosje më pas kishte përcaktuar 6 shtatorin si afat politik për përfundimin e procesit. Sipas tij, asnjëri prej këtyre afateve nuk është respektuar, ndërsa deputetët e PDK-së kanë marrë pjesë edhe në seancat e zhvilluara pas tyre, me synimin që Kuvendi të konstituohej. Ai ka akuzuar Vetëvendosjen se, në vend të përmbylljes së procesit, ka përdorur manovra procedurale që kanë penguar konstituimin e Kuvendit. “Askush nuk mund të përfitojë nga shkelja e vet”, ka thënë Gruda, duke vlerësuar se do të ishte precedent i rrezikshëm nëse një palë do të mund të përfitonte juridikisht nga shkelja e afateve kushtetuese për t’ia mohuar një subjekti tjetër të drejtën që i takon. Gruda ka bërë të ditur se PDK-ja do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar sqarim lidhur me këtë çështje dhe ka theksuar se partia do ta respektojë vendimin e saj.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
