Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka kërkuar nga Bashkimi Evropian dhe ambasadorët e huaj që të mos ndikojnë politikisht në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Gjykatën Speciale. Kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, ka publikuar apelin e veteranëve, të cilët kanë shprehur shqetësimin se ish-krerët e UÇK-së mund të dënohen në shkallën e parë më 16 shtator dhe më pas të shpallen të pafajshëm në Apel. “Mos na pengoni t’i dënojmë një herë, sepse në Apel i shpallim të pafajshëm”, ka shkruar Gucati, duke e cilësuar një skenar të tillë si “lojë të pistë politike me shkallët e drejtësisë”. Në apel, veteranët kanë kritikuar Gjykatën Speciale, duke pretenduar se ajo gjatë viteve të procesit ka prodhuar një narrativë që, sipas tyre, i ka shërbyer Serbisë dhe se një vendim i padrejtë në shkallën e parë do të kishte pasoja për Kosovën edhe në aspektin ndërkombëtar. Sipas tyre, një aktgjykim që do ta lidhte luftën e UÇK-së me kriminalitetin e organizuar do të ndikonte në mënyrën se si trajtohet lufta çlirimtare e Kosovës, intervenimi i NATO-s dhe legjitimiteti i shtetësisë së Kosovës. Veteranët kanë paralajmëruar gjithashtu se një vendim i tillë do t’i ofronte Serbisë argumente të reja në diplomaci dhe në përpjekjet për ta delegjitimuar Kosovën. Në apelin e tyre, ata kanë thënë se dëmi nga një vendim i padrejtë nuk do të mund të zhbëhej plotësisht edhe nëse në shkallën e dytë do të pasonte një vendim lirues. “Drejtësia nuk mund të jetë e drejtë vetëm në fund. Ajo duhet të jetë e drejtë qysh në fillim”, thuhet në apel. OVL-UÇK u ka bërë thirrje BE-së dhe ambasadorëve të huaj që të mos bëjnë politikë me vendimin e 16 shtatorit dhe të mos “luajnë më shumë me plagët” e qytetarëve të Kosovës.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
