Enver Hasani: Konstituimi i Kuvendit ishte jokushtetues, Qeveria Kurti 4 mund të vihet në pikëpyetje

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka deklaruar se konstituimi i Kuvendit të Kosovës më 13 shtator është bërë në shkelje të Kushtetutës dhe se një vendim i tillë nga Gjykata Kushtetuese mund të prekë edhe legjitimitetin e Qeverisë Kurti 4. Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Hasani ka thënë se pret që Gjykata Kushtetuese të vendosë masë të përkohshme dhe të pezullojë veprimtarinë e Kuvendit deri në shqyrtimin përfundimtar të rastit të dërguar nga Partia Demokratike e Kosovës. Sipas tij, Kuvendi nuk do të duhej të lejohej të funksiononte në rrethanat aktuale, pasi procesi i konstituimit, në vlerësimin e tij, nuk ka ndjekur procedurat e përcaktuara me Kushtetutë, Rregulloren e Kuvendit dhe aktgjykimet e mëhershme të Gjykatës Kushtetuese. Hasani ka kundërshtuar edhe arsyetimin e kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, se institucioni nuk mund të mbetet peng i një subjekti politik. Ai ka thënë se nuk është dëshmuar se PDK-ja ka sabotuar procesin apo ka hequr dorë nga e drejta e saj kushtetuese për të propozuar nënkryetarin e Kuvendit. Duke folur për pasojat e mundshme juridike, ish-kreu i Kushtetueses ka deklaruar se, nëse konstituimi shpallet jokushtetues, atëherë mund të vihet në pikëpyetje edhe zgjedhja e Qeverisë Kurti 4. Sipas tij, votimi i parë për zgjedhjen e Qeverisë nuk do të duhej të prekte automatikisht mundësinë e zhvillimit të rundit të dytë kushtetues. Hasani ka paralajmëruar se kriza institucionale mund të ndikojë edhe në procesin e zgjedhjes së presidentit të Kosovës. Ai e ka cilësuar si “komprometuese” çdo zgjedhje të presidentit në rrethanat aktuale, ndërsa ka vlerësuar se nuk ekzistojnë numrat e mjaftueshëm për një proces të tillë.

Kontrolloni gjithashtu

Nis gjykimi për krime lufte: Nadica Cepkenoviq përballet me akuzat për torturimin e të burgosurave shqiptare në Lipjan

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka nisur seanca gjyqësore ndaj Nadica Cepkenoviqit, e cila akuzohet …