Shtetet e Bashkuara kanë sinjalizuar ndryshim të qasjes ndaj Ballkanit Perëndimor, duke e përqendruar angazhimin te siguria, interesat ekonomike dhe lufta kundër krimit të organizuar. Për Kosovën, Washingtoni ka rikonfirmuar mbështetjen për pavarësinë dhe integritetin territorial, por ka shprehur shqetësim për krizën politike dhe vonesat në funksionalizimin e institucioneve. SHBA-ja ka kërkuar gjithashtu respektimin e të drejtave të komunitetit serb dhe ka theksuar rëndësinë e vazhdimit të pranisë së KFOR-it. Sa i përket dialogut Kosovë-Serbi, amerikanët vlerësojnë se procesi ka ngecur dhe kërkojnë që Prishtina e Beogradi të rikthehen në bisedime direkte, pa parakushte dhe pa veprime që rrisin tensionet. Ndërkohë, SHBA-ja po synon forcimin e marrëdhënieve me Serbinë për ta afruar atë me Perëndimin dhe për të kufizuar ndikimin rus e kinez në rajon. Shqipëria vazhdon të shihet si aleat i afërt i Washingtonit, me fokus në modernizimin e ushtrisë dhe luftën kundër krimit të organizuar. Mesazhi i përgjithshëm amerikan është që vendet e Ballkanit të marrin më shumë përgjegjësi për zgjidhjen e problemeve të tyre, ndërsa SHBA-ja do ta përqendrojë angazhimin në siguri, ekonomi dhe interesa strategjike.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
