Prof. dr. Sabit Syla: Në Hagë nuk po gjykohen vetëm individë, por edhe liria dhe e ardhmja e Kosovës

Prof. dr. Sabit Syla, në vazhdimin e shkrimit të tij “27 vjet nga çlirimi në gjykim – Lufta çlirimtare dhe narrativat e saj në gjykatë”, trajton rolin e ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në procesin e shtetformimit dhe rëndësinë e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008. Sipas Sylës, përfshirja e ish-udhëheqësve të UÇK-së në proceset politike pas përfundimit të luftës ishte një proces normal i kalimit nga lufta në demokraci. Ai thekson se kontributi i tyre në ndërtimin e institucioneve demokratike dhe në konsolidimin e shtetit të pavarur të Kosovës mbetet pjesë e rëndësishme e historisë së vendit. Autori veçon rolin e kryeministrit të atëhershëm Hashim Thaçi dhe kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, në procesin e shpalljes së Pavarësisë. Sipas tij, më 17 shkurt 2008, Hashim Thaçi shpalli Pavarësinë e Kosovës, ndërsa Jakup Krasniqi drejtoi procedurën parlamentare të miratimit të Deklaratës së Pavarësisë. Në shkrim, Syla rrëfen edhe një përvojë personale nga viti 1998, kur, së bashku me Hashim Thaçin dhe Rexhep Selimin, kaloi kufirin dhe përjetoi nga afër sfidat e luftës. “Po të kishin rënë në atë periudhë, sot do të nderoheshin si dëshmorë dhe heronj të kombit”, shkruan ai. Sipas prof dr Sabit Syles,  kjo përvojë ngre pyetje mbi kujtimin dhe statusin e dëshmorëve e heronjve që dhanë jetën për çlirimin e vendit. Ai thekson se një dënim i padrejtë ndaj ish-krerëve të UÇK-së do të prekte jo vetëm kujtesën historike, por edhe themelet e shtetit të pavarur të Kosovës, stabilitetin dhe konsolidimin e demokracisë. “Në këtë kuptim, tani në Hagë nuk po gjykohen thjesht individë, por edhe liria jonë dhe e ardhmja e Kosovës”, thekson Syla. Drejtuesit dhe luftëtarët e UÇK-së ishin të motivuar nga idealet patriotike dhe se kontributi i tyre në ndërtimin e një Kosove të pavarur e demokratike nuk mund të njolloset nga interpretime të njëanshme. Nëse përgjegjësia e tyre interpretohet si faj, atëherë e njëjta masë do të duhej të aplikohej edhe ndaj aktorëve ndërkombëtarë që vendosën dhe koordinuan ndërhyrjen ushtarake, pasi ata ishin pjesë e mekanizmave që legjitimuan strategjinë mbrojtëse dhe mbrojtjen e civilëve.

Kontrolloni gjithashtu

Shkupi ngrihet për çlirimtarët: Marshim në mbështetje të katërshes së UÇK-së para verdiktit në Hagë

Forumi Rinor Shqiptar ka paralajmëruar një marshim në Shkup, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së …