Shpresa Bajraktari: Drejtësi e turpshme është të dënosh komandantët e UÇK-së pa bërë dallimin mes luftës për çlirim dhe përgjegjësisë individuale për krime konkrete

Drejtësi e turpshme është të dënosh komandantët e UÇK-së pa bërë dallimin mes luftës për çlirim dhe përgjegjësisë individuale për krime konkrete.

Drejtësi e turpshme është të harrohet konteksti historik i luftës së Kosovës dhe të vendosen komandantët e UÇK-së në bankën e të akuzuarve, sikur të ishin ata shkaku i luftës.

Dënimi i komandantëve të UÇK-së, në emër të popullit të Kosovës, për krime të lidhura me periudhën e luftës për çlirimin e vendit, është një padrejtësi historike që nuk mund të fshihet nga asnjë vendim gjykate. Historia nuk gjykohet vetëm nga dokumentet e një kohe; ajo gjykohet edhe nga e vërteta, nga kujtesa dhe nga konteksti në të cilin kanë ndodhur ngjarjet.

Kosova nuk u çlirua me fjalë. U çlirua me sakrificë, me gjak dhe me luftën e njerëzve që morën armët për të mbrojtur familjet, shtëpitë dhe tokën e tyre. Nuk mund të barazohet viktima me agresorin dhe as lufta për liri me krimin.

E drejta e një populli për t’u mbrojtur nga pushtuesi është një e drejtë themelore. Kush ka kryer krime duhet të përgjigjet individualisht dhe mbi bazën e provave, por përgjegjësia penale nuk mund të shndërrohet në dënim të një populli, të një lufte apo të një kauze çlirimtare.

Nëse dikush ka kryer krime pas çlirimit, le të gjykohet për ato vepra. Nëse gjatë luftës ka pasur krime konkrete, ato duhet të provohen dhe të gjykohen individualisht. Por nuk pranoj që luftëtarët e lirisë të vendosen në të njëjtën peshore morale e historike me ata që ushtruan dhunë dhe pushtuan Kosovën.

Ne shqiptarët nuk duhet të kemi frikë nga historia jonë. Duhet ta themi hapur: Kosova është tokë shqiptare dhe e drejta e shqiptarëve për të diskutuar të ardhmen e tyre kombëtare nuk mund të shuhet me presion politik apo me heshtje.

Shqipëria dhe Kosova duhet të punojnë për një të ardhme ku shqiptarët vendosin vetë për fatin e tyre, përmes vullnetit demokratik, paqes dhe respektimit të të drejtave të qytetarëve.

Heronjtë mund të gjykohen nga gjykatat, por vendimin përfundimtar mbi vendin e tyre në histori nuk e jep politika. E jep koha.

Dhe koha, herët a vonë, do të tregojë të vërtetën.

Për ne, UÇK-ja është pjesë e historisë së çlirimit të Kosovës. Asnjë proces gjyqësor nuk mund ta fshijë sakrificën e atyre që luftuan dhe ranë për lirinë e vendit.

Prandaj, të mos heshtim dhe të mos lejojmë që historia jonë të shkruhet pa zërin e shqiptarëve. Ta ruajmë kujtesën, të kërkojmë drejtësi mbi bazën e fakteve dhe të mbrojmë të drejtën për ta treguar historinë e Kosovës me dinjitet.

Mos ta harrojmë luftën. Mos ta harrojmë sakrificën. Mos ta dorëzojmë të vërtetën historike!

Shpresa Bajraktari

Kontrolloni gjithashtu

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka uruar Kosovën me rastin e 17-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë

Forum/ Deklarata e Sekretarit Amerikan të Shtetit, Marco Rubio: Flasin Ing. Nako Petro, Jorgji Hanxhari dhe Nikollaq Gjergji

– Një shtet i fortë nuk ndërtohet duke shitur pasuritë që ka trashëguar, por duke i …