Pierre Richard Prosper, pjesëtar i ekipit mbrojtës të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka reaguar pas aktgjykimit në Hagë, duke e cilësuar vendimin dënues si një shkelje të drejtësisë. Thaçi është dënuar me 25 vjet burgim, ndërsa Prosper ka deklaruar se beteja për drejtësi nuk përfundon me vendimin e shkallës së parë. “Sot dëshmuam një shkelje të drejtësisë. Është e qartë për mua dhe për ne se vendimi ishte i paracaktuar”, ka deklaruar Prosper. Avokati i Thaçit është ndalur edhe te dëshmitë e figurave ndërkombëtare që kanë qenë të përfshira në zhvillimet diplomatike dhe ushtarake gjatë luftës në Kosovë, duke përmendur gjeneralin Wesley Clark, Jamie Rubin dhe Chris Hill. Sipas Prosperit, dëshmitë e tyre kanë paraqitur një tjetër pasqyrë për rolin e Thaçit gjatë luftës. “Në Tribunalin e Hagës kemi parë histori. Kemi parë gjeneralin Clark, Jamie Rubin, Chris Hill dhe njerëzit që ishin atje dhe ndanë eksperiencën e tyre me ne. Ata e bënë të qartë se Thaçi nuk ishte në krye. Por ajo që dëgjuam sot është se Gjykata rishkroi historinë”, ka thënë Prosper. Ai ka kritikuar edhe mënyrën se si, sipas tij, Gjykata e ka trajtuar rolin e UÇK-së dhe marrëdhëniet e saj me NATO-n. “Ata po thonë që NATO bëri partneritet të qëllimshëm me një ‘ndërmarrje kriminale’”, ka deklaruar avokati i Thaçit, duke kundërshtuar interpretimin e paraqitur në aktgjykim.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
