Pas aktgjykimit në Hagë, me të cilin ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe ish-drejtuesi i UÇK-së, Kadri Veseli, është dënuar me 18 vjet burgim, ka reaguar avokati i tij, Rodney Dixon. Dixon ka deklaruar se ekipi mbrojtës nuk pajtohet me vendimin, duke theksuar se, sipas tij, gjatë procesit nuk është dëshmuar në mënyrë të mjaftueshme përgjegjësia penale e Veselit. “Jemi këtu sot për të thënë se jemi të zhgënjyer me këtë vendim. Nuk është arritur të dëshmohet ajo që është pretenduar dhe ka pasur hapësirë të konsiderueshme në provat mbi të cilat është marrë vendimi”, ka deklaruar Dixon. Ai ka bërë të ditur se mbrojtja do të vazhdojë betejën ligjore, me synimin për të kundërshtuar vendimin dhe për të kërkuar lirimin e Veselit dhe shpalljen e tij të pafajshëm. Sipas avokatit Dixon, mbrojtja mbetet e bindur se çështja duhet të shqyrtohet më tej përmes procedurave të apelit dhe se vendimi i shkallës së parë nuk e përmbyll përfundimisht procesin ndaj Kadri Veselit.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
