Niko Peleshi: Vendimi i Hagës i dhimbshëm për Kosovën dhe kujtesën kombëtare shqiptare

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi, e ka cilësuar si të dhimbshëm vendimin e gjykatës speciale në Hagë ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët të mërkurën u dënuan me gjithsej 81 vjet burgim. Duke folur në fillim të seancës parlamentare të 17 shtatorit, Peleshi tha se vendimi i djeshëm nuk lidhet vetëm me Kosovën, por edhe me historinë dhe kujtesën kombëtare shqiptare. Ai bëri të ditur se Kuvendi i Shqipërisë do të përcjellë një deklaratë të përbashkët për qëndrimin e tij lidhur me këtë zhvillim. “Ky vendim përbën një vendim të rëndësishëm dhe të dhimbshëm, jo vetëm për Kosovën, por dhe për historinë dhe kujtesën tonë kombëtare”, deklaroi Peleshi. Ai njoftoi se Komisioni për Çështjet Europiane dhe Punët e Jashtme po finalizon detajet e deklaratës, e cila pritet të paraqesë qëndrimin e Kuvendit të Shqipërisë për vendimin e Hagës.

Kontrolloni gjithashtu

Bedri Hamza: Flora Brovina mbetet simbol i qëndresës dhe atdhedashurisë

Partia Demokratike e Kosovës ka nderuar veprimtaren, mjeken dhe intelektualen Flora Brovina, në një Akademi …