Ish-prokurori i Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, Geoffrey Nice, e ka cilësuar si “të paprecedentë” mënyrën se si shtatë ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë përmendur në aktgjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Në një deklarim për Radion Evropa e Lirë, Nice ka thënë se në aktgjykime të rasteve të tilla mund të përmendet se një person ka vepruar “në kuadër të një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale me persona të panjohur”. Megjithatë, sipas tij, mënyra se si janë përfshirë emrat e shtatë ish-pjesëtarëve të UÇK-së në aktgjykimin ndaj katër ish-drejtuesve të UÇK-së është e pazakontë. Bëhet fjalë për Lahi Brahimajn, Fatmir Limajn, Sylejman Selimin, Rrustem Mustafën, Latif Gashin, Shukri Bujën dhe Sabit Gecin. Nice ka theksuar se për të kuptuar arsyen dhe rëndësinë juridike të përmendjes së këtyre personave duhet pritur publikimi dhe shqyrtimi i plotë i aktgjykimit. Sipas tij, vetëm nga arsyetimi i plotë i trupit gjykues mund të kuptohet më saktë se përse këta persona janë përmendur konkretisht dhe çfarë rëndësie juridike kanë këto referenca. Aktgjykimi ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit është i shkallës së parë dhe mbrojtja ka paralajmëruar apelim.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
