Kryetari i Këshillit të Familjarëve të të Zhdukurve, Ahmet Grajqevci, ka thënë se Serbia nuk është e gatshme t’i hapë arkivat që mund të ndihmojnë në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë. Grajqevci tha se hapja e arkivave serbe mund të bëhet vetëm përmes një presioni të madh ndërkombëtar, duke përmendur Bashkimin Evropian dhe faktorë të tjerë ndërkombëtarë. “Është shumë interesant se Serbia, kurrë njëherë e kam thënë dhe në shumë televizione të tjera po e them edhe sot, 100 vjet Serbia nuk i hap arkivat. Këta vetëm lodh pa një presion të madh të Bashkësisë Ndërkombëtare, Bashkimit Evropian dhe qarqeve të caktuara, kjo kurrë nuk do t’i hapë”, tha Grajqevci. Sipas tij, një nga arsyet pse Serbia nuk i hap arkivat lidhet me mënyrën se si, sipas tij, trajtohen personat që mund të japin informacione për krimet dhe personat e zhdukur. “Pse nuk do t’i hapë? Pse ai gradon kriminelët edhe plus, nëse dikush e jep një informacion nga serbët, vetë Ivica Daçiq thotë që do të dënohet me 30 vjet në burg. Veç nëse i jap një informacion, çka pret prej atij shteti, çka pret prej asaj udhëheqësi? Kurrë njëherë, harroje!”, u shpreh ai. Grajqevci tha se familjarët e personave të zhdukur ndër vite kanë insistuar në zbardhjen e fatit të të afërmve të tyre, ndërsa foli edhe për raste kur personat e zhdukur janë identifikuar dhe për mënyrën e njoftimit të familjeve.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
